Pas thirrjes në SPAK, Veliaj i hedh “dorashkën” Edi Ramës, kryeministri mesazh mbrojtës kryebashkiakut, ja kulisat që kanë futur sherrin në PS

Data

Në kupolën e Partisë Socialiste plasi “bomba”. Pas thirrjes së Erion Veliajt në Prokurorinë e Posaçme së fundmi për t’u pyetur në lidhje me dy dosje që po shkaktojnë “tërmet” në mazhorancë, ku ajo e para ajo e inceneratorëve dhe e dyta dosja “5D”, të cilat kanë kulmuar me arrestimin e zyrtarëve të lartë të Bashkisë Tiranë, kryebashkiaku i ndjerë në presion i ka hedhur në fundjavë “dorashkën” e duelit Edi Ramës siç bëhej midis fisnikësh të dikurshëm. Veliaj prej 10 ditësh iu shmang medieve dhe në fund zgjodhi të komunikojë me publikun me një video. Mesazhi i tij ishte një përzierje e shantazhit politik të brendshëm, drejtuar në “kokë” kryeministrit Rama. “Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit? Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!”, ka deklaruar dje Erion Veliaj në daljen publike.

Shqetësimi i Veliajt

Më tej Veliaj ka tërhequr paralelen me Ramën. “Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij?! Ku jemi këtu? Në komunizëm? Kur shoku Enver i vinte mbrapa një parti të tërë e një armatë të tërë me spiunë, të gjithë zyrtarëve të shtetit, deri tek vrima e çelësit e shtëpisë së tyre, që sot u dashka të arrestohet e të burgoset nga gjykata politiko-mediatike, titullari i institucionit, sapo SPAK-u nxjerr fletët e arrestit për një apo disa zyrtarë të institucionit disa mijëra vetash që ai drejton?! I ngre këto pyetje retorike sepse në asnjë vend normal demokratik, nuk ndodh kjo gjueti shtrigash. Në parlamente, ekrane, portale, madje as në rrjetet sociale të Francës, Italisë, Greqisë e me radhë, nuk i shikon këto turra drush për të djegur të gjallë Presidentë, kryeministra, kryetarë bashkish, kur drejtësia thjesht po bën punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe ku gjykatat, në fund, e ndajnë shapin nga shqeri, të fajshmit nga të pafajshmit”, deklaroi Veliaj. Ai dukej mjaft i alarmuar. Shqetësimi i tij është se mos Rama dhe opozita po kërkojnë ta çojnë Veliajn me konsensus në gojën e SPAK, prandaj kërkoi ndonjë sinjal nga kryeministri. Së fundmi e kemi parë sulmin e fortë që po i bëhet Veliajt nga mediat e blera dhe të paguara nga Rama, por edhe sulmet nga grupi “non gratës”, të cilët zhvilluan dhe protestë para Bashkisë së Tiranës.

Përgjigjja e Ramës

Nuk vonoi përgjigjja e Ramës pas mesazhit të fortë që i dërgoi Veliaj.  Rama deklaroi dje se është dakord me qëndrimin që mbajti kryebashkiaku në lidhje me arrestimin e drejtorëve të tij me miliona euro korrupsion. Pra për Ramën dhe Veliaj, të tjerët u hanë “dardha dhe kumbulla” dhe këta nuk dinë gjë. Por, Rama harroi se edhe sikur të mos jenë bashkëpunëtorë në vjedhje, minimumi ata dalin të paaftë për të menaxhuar lekët e taksapaguesve shqiptarët, që ua kanë besuar, teksa vartësit e tyre kryesorë u vjedhin miliona euro. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama nuk dha asnjë argumentim se si ai dhe Veliaj dalin të pafajshëm kur grabiten miliona euro para publike, por përdor një gjuhë denigruese dhe ofenduese ndaj mediave, analistëve dhe kundërshtarëve të tij politik. Për kreun e qeverisë, kush bën opozitë në këtë vend dhe nuk flet për qeverisjen e tij kaq të “shkëlqyer” ku çdo ditë i del nga një drejtor apo ministër hajdut, për Ramën është trushpërlarë, komunist fanatik, shpifës, killera mediatikë, qen që lehin, teksa akuzat për qeverinë e tij i konsideron si thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh. Rama e thekson në reagimin e tij se nuk ka fajësi kolektive. “Lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u”, vazhdon Rama në reagimin e tij me gjuhë ofenduese. Rama deklaroi se drejtësia të mos i lërë kusur askujt që nxjerr përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related