Gjykata e Posaçme (GJKKO) me kërkesë të Prokurorisë Speciale (SPAK) vuri në sekuestro sipërfaqen prej 5080 m2, pjesë e 10 mijë metrave katrorë ku Artan Gaçi do të ndërtonte kompleksin turistik në fshatin Gjilek – Dhërmi të Himarës. Sekuestroja vjen në kuadër të hetimeve për tjetërsim pronash për të cilën më 23 mars 2024 u arrestua ish-kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, ndërsa janë në hetim dhe disa zyrtarë të tjerë. SPAK po heton pasi ka dyshime se ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi për ndërtimin e kompleksit turistik.
Vendimi i SPAK
Ndërkohë SPAK në reagimin e tij sqaron se e gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2 që i është nënshtruar proceduarave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga Artan Gaçi. Sekuestroja vjen në kuadër të hetimeve për tjetërsim pronash për të cilën më 23 mars 2024 u arrestua ish Kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës Jorgo Goro, ndërsa janë në hetim dhe disa zyrtarë të tjerë. SPAK po heton pasi ka dyshime se Jorgo Goro në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi për ndërtimin e kompleksit turistik. “Nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren. Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme. E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Jorgo Goro mohon akuzat
Nga ana tjetër, ish-kryetari i Bashkisë në detyra Himarë, Jorgo Goro i rënë në burg ka mohuar akuzat e SPAK, ku gjatë hetimeve rezultonte të ishte nyja kyçe, teksa ka shkelur ligjin duke firmosur letrat për investitorin strategjik. Para prokurorëve, Goro ka deklaruar se thjesht ka firmosur si titullar institucioni.
