As të gjitha faqet e kësaj gazete nuk do të mjaftonin për të shkruar të gjithë veprimtarinë e qeverisë “Rama” të mbushura vetëm me skandale e krime mafioze, që kanë si autorë dhe mbrojtës vetëm kryeministrin, ministra, deputetë, politikanë, familjarë të tyre dhe shërbëtorë të pushtetit. Bilanci i qeverisë Rama në 11 vitet në pushtet është një bilanc skandalesh, vrasjesh, videosh seksuale dhe korrupsioni, përvetësimi i pasurive publike dhe pastrim parash. Një qeveri e korruptuar që nuk është parë në historinë shqiptare që nga Lufta e Parë Botërore. Mazhoranca sot ka një qeveri dhe grup parlamentar në bulevardin Dëshmorët e Kombit ku pjesa më e madhe e tyre është nën hetim përfshirë dhe kryeministrin, ndërsa pjesa tjetër në burgjet e SPAK. Prokurorët po ja çojnë një nga një bashkëpunëtorët e tij dhe po nxjerrin sheshit korrupsionin që gëlon në zyrat e kësaj qeverie. Tashmë këto janë të provuara, që nga inceneratorët, aferat me koncesionet, vjedhjet galopante që ka bërë kjo qeveri me klientët e vet ndaj pronës publike dhe taksave të shqiptarëve, por edhe korrupsionin me tenderët. Jemi ende në 3 muajt e parë të 2024 dhe SPAK po mbush burgjet me të besuarit e Ramës.
Hetimet
I fundit që e pësoi ishte kryebashkiaku Jorgo Goro, i cili ra në pranga për zaptimin dhe shkatërrimin e Dhërmiut për interesat e Olta Xhaçkës. Ky nuk do të jetë i vetmi, pasi prej disa javësh bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Rama, disa prej të cilëve ndër më të afërtit në vite, janë rreshtuar së fundmi një nga një në dyert e Prokurorisë së Posaçme. Listës së hetimeve të SPAK iu shtua dhe Niko Peleshi, një nga miqtë më të hershëm të kryeministrit. Prokurorët po i hetojnë me themel, duke nisur nga pasuritë e tyre, kontrollet në institucione, banesa e vila, sekuestrime telefonash dhe dokumente të rëndësishme. Përpara Peleshit ka qenë ish-ministri Damian Gjiknuri, i cili u pyet për shtatë orë brenda Prokurorisë së Posaçme. Mësohet se SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj Gjiknurit, nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash. Një emër tjetër është Ilir Beqaj, i cili prej muajsh është bërë si “i shtëpisë” në SPAK. Pozitat e tij mund të tronditen pasi, SPAK po thellon hetimet edhe në dosje të tjera ku ai është i implikuar. Mësohet se janë sekuestruar dokumente të rëndësishme në zyrën e tij. Madje prokurorët i kanë shtrirë hetimet deri në Poloni për trasnferta të dyshimta parash. Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u thirr disa javë më parë në SPAK për të dëshmuar lidhur me aferën e “sterilizimit”, por jo vetëm kaq pasi emri i saj ka dalë dhe në afera të tjera në shëndetësi. E rrezikuar është Frida Krifca, ish-ministrja e Bujqësisë e cila po hetohet për abuzimet me fondet e BE. Nën lupën e SPAK është dhe Belinda Balluku. Dosjet e saj janë të hapura në SPAK dhe laku po i ngushtohet që pas arrestimit të krahut të djathtë të saj në krye të ARRSH, Evis Berberi. Përpara Prokurorisë së Posaçme janë thirrur rresht edhe disa kryebashkiakë. Një ndër ta është Rakip Suli. Ai në fakt nuk është thjesht si person që ka dijeni, por është i akuzuar drejtpërdrejtë për shkak se dyshohet që ka lidhje me abuzime në tenderë dhe shpërdorimi i fondeve të tërmetit. Sipas të dhënave, ai dyshohet se i ka konsumuar këto dy vepra penale në të paktën dy episode. “Koka” tjetër që rrezikon të pritet është dhe Olta Xhaçka. Dosjet e saj janë drejt fundit të hetimeve.
Zyrtarët e lartë të PS-së në rrjetën e SPAK
Në fakt, i pari njeri i rëndësishëm i socialistëve që u akuzua dhe u dënua nga drejtësia e re ishte një yll në ngitje politike deri në atë kohë, ish-Ministri i Brendshëm, Samir Tahiri. Ai u dënua nga Gjykata me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa kreu vetëm 16 muaj burg. Kjo pasi Gjykata e Elbasanit argumentoi lirimin e tij me një raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku theksohej se bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdeset për dy fëmijët e çiftit. Por nga informacionet e fundit, Tahiri mund të përfundojë sërish në qeli pasi SPAK ka zbuluar disa detaje të reja që e implikojnë për pastrim parash. Për nga rëndësia hierarkike në detyra shtetërore, këtë listë e kryeson ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i akuzuar ndoshta edhe më ashpër se të gjithë bashkëpunëtorët e Edi Ramës në këto 10 vite pushtet. Ahmetaj, aktualisht në arrati, i larguar nga Shqipëria vetëm disa orë përpara se të bëhej publik vendimi i SPAK për të kërkuar ndalimin e tij, akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ahmetaj ka drejtuar Financat dhe Rindërtimin, duke qenë numri dy i Qeverisë me postin e fundit, nga ku ka firmosur edhe dhjetëra vendime në emër të kryeministrit Rama. Ish-ministri tjetër, Lefter Koka, i larguar fillimisht nga socialistët drejt LSI-së e më pas i afruar nga vetë Rama në PS, bart sot një nga çështjet e konsideruara si afera korruptive më e madhe e këtyre 30 viteve, ajo e inceneratorëve. Bashkë me Kokën në qeli është dhe ish deputeti Alqi Bllako, dikur ish Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve. Ndërkaq, ish kryebashkiakët duket se vijojnë të jenë një listë edhe më e gjatë. Pa përmendur ata që janë paraqitur në SPAK por pa akuza ndaj tyre, janë më shumë se shtatë ish krerë bashkie që ose kanë kryer dënimin, ose janë në qeli. Vangjush Dako, për nga rëndësia si në parti ashtu edhe për lidhjet me Edi Ramën, është sot në arrest shtëpie pas burgut që bëri prej një viti. Dako, I përmendur edhe në dosjet e hetuara gjatë, si ajo 339, për manipulime në zgjedhje, ishte në qeli vetëm në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila në Durrës. Një tjetër i afërt bashkëpunëtor i kryeministrit, Safet Gjici, ish-kryebashkiak i Kukësit, është sot nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pas video-skandalit seksual të publikuar në media. Ai u akuzua se i dha ‘tenderin për sterilizimin e qenve’ një gruaje më të cilën u denoncua pas një video ku shfaqej në një aferë seksuale në zyrën e tij. Por veprat për të cilat akuzohen zyrtarët e rëndësishëm të PS-së, të cilët kanë rënë në rrjetën e SPAK, janë konsideruar nga kryesocialisti Rama si ‘përgjegjësi individuale’. Por të gjithë e dimë se disa dardha i kanë marrë ata, ndërsa Rama ka marrë gjithë pemën. Populli në fakt i ka votuar që t’i drejtojnë, kryeministri, ministra dhe kryetarë bashkish, por ajo që rezulton sipas Ramës është se në Shqipëri drejtojnë dhe i hanë dardhat vartësit e ministrave dhe kryetarëve të bashkive. Në fund do ia dëgjojmë krismën, pasi vetëm Edi Rama është nën lupën e SPAK për dosjen “McGonigal” dhe aferën me inceneratorët.
