Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar edhe njëherë mbështetjen ndaj Prokurorisë Speciale (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Policisë së Shtetit dhe organeve të reja të drejtësisë, ndërsa u kanë dërguar një mesazh të fortë të korruptuarve, inkriminuarve dhe armiqve të reformës në drejtësi se kushdo që ka llogari të hapura me drejtësinë, është përfshirë në afera e zullume do të japë llogari para ligjit. Këtë të hënë ka mbërritur në Tiranë Ndihmës Sekretarit për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, ndërsa bëri të qartë se SHBA do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për reformën në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Zyrtari i lartë amerikan zhvilloi dje një takim në SPAK me Altin Dumanin, ku ambasada e SHBA zbardhi edhe diskutimet dhe mesazhet e Robinson, i cili ka nënvizuar rëndësinë e një drejtësie të pavarur dhe fundin e pandëshkueshmërisë. “Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit, transparencën dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë pasi ajo lufton krimin dhe korrupsionin”, shkroi dje në rrjetet sociale ambasada e SHBA në Tiranë .
Ambasada nxjerr detaje nga brenda SPAK
Po çfarë ndodh brenda ambienteve të Prokurorisë Speciale (SPAK) është vështirë të shihet nga syri i publikut, veçse lajmeve të bujshme për goditjen e krimit të organizuar e zyrtarëve të lartë. Nëse nuk je nën hetim, i thirrur për të dëshmuar, apo pjesë e drejtësisë është e vështirë të dish se çfarë ndodh brenda kësaj godine dhe të rralla janë pamjet që ‘rrjedhin’ nga brenda zyrave ndonëse para saj qëndrojnë me dhjetëra kamera gazetarësh. SPAK është institucioni i drejtësisë me vëmendjen më të madhe, por fotot brenda zyrave tregojnë edhe punën e madhe që kanë mbi supe “prokurorët e momentit”. Ka qenë ambasada e SHBA-së që ka ndarë disa foto gjatë vizitës së ndihmës sekretarit amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson. Në foto shihen edhe dosjet stivë në zyrat e SPAK, teksa kryeprokurori Altin Dumani ia tregon zyrtarit të lartë amerikan. Ndër të tjera ambasada shkruan se Robinson riafirmoi mbështetjen e SHBA për reformën në drejtësi. “Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, u takua sot me shefin e SPAK-ut, Altin Dumani, për të riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara për të mbështetur udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE përmes sundimit më të fortë të ligjit dhe rritjes së transparencës gjyqësore”, theksoi dje ambasada.
Ambasada e SHBA zbardh takimin me përfaqësuesit e drejtësisë
Më tej ambasada amerikane ka zbardhur fokusin e bisedimeve Ndihmës Sekretarit Amerikan, Todd Robinson gjatë takimit me kreun e SPAK, Altin Dumanin, prokurorë e gjyqtarë të tjerë. Ambasada shkruan se zyrtari i lartë amerikan ka shprehur mbështetjen për drejtësinë dhe vendosi fokusin tek fundi i pandëshkueshmërisë. “Në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues dhe drejtues shqiptarë nga agjencitë shqiptare të drejtësisë, Ndihmës Sekretari Todd Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit, transparencën dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë pasi ajo lufton krimin dhe korrupsionin”, shkroi ambasada.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit takohet me Ramën
Ndërkohë amerikanët ja kanë bërë të qartë edhe kryeministrit Edi Rama dhe kujdo që ka llogari të hapura me ligjin se nuk do të lejojnë të cenohet drejtësia e re. Kryeministri Rama ka marrë superxhiro kohët e fundit, duke marrë meritat e reformës dhe duke sulmuar organet e reja. Të dielën ai sulmoi SPAK, ndërsa ua bëri të qartë amerikënve se reforma në drejtësi është krijësë e Partisë Socialiste dhe jo Uashingtonit. Po ashtu, në prapaskenë po negociohet që të ngrihet një komision që do të vërë nën kontroll SPAK. Ajo që shihet në publik si negociatë Rama-Berisha, në fakt është një pazar në kurriz të drejtësisë. Të gjithë janë trembur dhe duket se po lëvizin bashkërisht gurët për të rrëzuar projektin amerikan. Kryeministri Edi Rama priti dje Todd D. Robinson, ndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL). Lajmin e bëri me dije ambasada e SHBA në Tiranë, e cila shkruan se të dy diskutuan për bashkëpunim të fortë midis vendeve. :Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me kryeministrin Edi Rama për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutoi rëndësinë kritike të forcimit të shtetit të së drejtës, rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe avancimin e reformës në drejtësi”, nënvizoi dje ambasada e SHBA në Tiranë. Kështu që përpara kësaj situate mbetet të shohim se çfarë do të bëjë tani kryeministri, por duket qartë se reforma në drejtësi është prioritet për amerikanët dhe se ata nuk kanë për të lejuar asnjë pazar që cenon këtë proces.
