Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore e drejtorit te ARRSH, Evis Berberi, i cili u arrestua së bashku me dy biznesmenë Erivs Lamin dhe Valter Begajn.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se në aparatet celulare të sekuestruar janë gjetur të gjitha komunikimet me Berberin, Begajn e Brunilda Bulin.
Komunikimet janë kryer kur Berberi ishte në krye të Agjencisë se Eficencës së Energjise dhe ARRSH
Në një nga bisedat Valter Begaj i shkruan Lamit: 20 te Enis, 20 te Berberi!
Ndërkohë Ervis Lami i shkruan Brunilda Bulit: Si e keni situatën me corona virusin? Më nis një foto, po bej gati dokumentet për t’u futur në tender, po bëj kontratën.
Hetimet
Nga hetimet e SPAK rezulton se Evis Berberi ka kërkuar dhe ka marrë rregullisht para përmes tenderave që janë zhvilluar në kohën kur ai ka qenë kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, por edhe kur ka qenë titullar i Agjencisë për Eficencën e Energjisë.
Në kohën kur Berberi ka mbajtur postin e drejtuesit të ARRSH, SPAK thotë se janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë pa TVSH.
Ndërsa kur ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa Tvsh.
Në të dyja rastet sipas SPAK fitues i tenderave ka qene “NET-Group”, ne pronesi të Valter Begajt, bashkepunetor me Evis Berberin.
Kreu i ARRSH, Evis Berberi dhe dy biznesmenë akuzohen pë “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Arrestimi
Kujtojmë që Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi u arrestua nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash së bashku me dy persona të tjerë me të cilët kishte pasur marrëdhënie në një shoqëri të zotëruar prej tij.
Sipas SPAK, Berberi në cilësinë e kreut të dy institucioneve shtetërore, ka kërkuar dhe përfituar shuma të konsiderueshme parash nga një shoqëri e cila ka qenë fituese e tenderave. Për të mundësuar marrjen e ryshfetit ka përdorur një mënyrë të tërthortë, ku shoqëria fituese e tenderave të institucioneve që ai drejtonte, i transferonte paratë në një shoqëri tjetër të kontrolluar prej tij.
Së bashku me Berberin janë vënë në pranga mbrëmjen e të mërkurës për të njëjtat vepra penale edhe Valter Begaj, pronari kompanisë që përfitonte tenderat dhe njëkohësisht ortak i shoqërisë së zotëruar indirekt nga ana e Berberit, si dhe Ervis Lame, administratori i shoqërisë së Berberit dhe punonjës në shoqërinë e Begajt.
