Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari i ftuar në një emision televiziv ka komentuar arrestimin e kreut të ARRSH, Evis Berberi me urdhër të SPAK. Në emisionin televiziv Braimllari thotë se SPAK ka ende shumë përpara.
Ai shprehet se SPAK duhet të shkojë në nivele më të larta, pasi sipas tij drejtorët marrin urdhra nga kryeministri Edi Rama.
“Problemi i qeverisë është Edi Rama. Drejtorët korruptuar duhet të shkojnë para drejtësisë, por SPAK duhet të ketë vullnetin të shkojë te Edi Rama, se drejtorët i marrin porositë nga Edi Rama. Ka ende shumë punë për t’i treguar opinionit publik që është strukturë që lufton korrupsionin në nivelet e larta. Patjetër që ka prokurorë që luftojnë korrupsionin dhe meritojnë vlerësimin. Por çështje strategjike të mëdha si inceneratorët, e sterilizimi kërkojnë të marrin vëmendje maksimale. Çdo veprim i tillë duhet përshëndetur, por ka ende shumë punë. Është çështja inceneratorit që përfshihen drejtpërdrejtë Rama e Veliaj dhe s’kemi dijeni nëse janë thirrur për këtë çështje”, tha Braimllari.
Anëtar i Kryesisë së PD, Besart Logu thotë se SPAK po jep frytet e para të punës. Sa i takon arrestimit të Berberit, Logu thotë se është “e çuditshme se si të gjithë krerët e ARRSH të gjithë në seri përfundojnë në burg”. Për Logun është e turpshme që askush nga qeveria nuk mban përgjegjësi për këto raste korrupsioni.
E mbështes dhe kam besim te puna e SPAK, po jep frytet pavarësia e këtij institucioni. Nuk është rasti i parë, është shumë e çuditshme se si të gjithë krerët e ARRSH të gjithë në seri përfundojnë në burg, Verdho, Qato, Ando Toma, Dashamir Gjika. Është një pus nafte ku ka qarkullim të madh parash dhe dalim te ajo që thoshte Rama, që është sistemi që korrupton individin. Këta mirë që janë hajdut, po janë edhe budallenj. Si rasti i Beqaj, ndërkohë që hetohej vazhdonte vidhte sërish para. Askush nuk mban përgjegjësi, thotë kanë ngrënë dardha pas shpinës sime. Këto dardhat janë lekët e qytetarëve. As ministrja nuk mban përgjegjësi.
