Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë për median prestigjioze turke “Independent Turkçe”, ka komentuar marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantën, ku pritet që me mijëra shtetas afrikanë të zhvendosen në Shqipëri.
Sipas Metës mungon aspekti i transparencës së çështjes, ku shton më tej se Rama ka një qëndrim autoritar, duke e akuzuar se nuk i interesojnë pasojat e brendshme.
“Italia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe një mik i ngushtë në kohë të vështira. Ndaj e mbështes gjithmonë forcimin e bashkëpunimit me Italinë në të gjitha nivelet. Sa i përket marrëveshjes së fundit të migracionit, pikësëpari mungon aspekti i transparencës së çështjes.
Po kështu është e qartë se kryeministri shqiptar ka një qëndrim autoritar. Sepse atij nuk i interesojnë pasojat e brendshme dhe kapacitetet lokale të vendit për të përballuar një operacion kaq kompleks. Natyrisht, kjo çështje ka edhe një dimension ligjor. Sidomos ndjeshmëritë që dalin nga Brukseli për këtë çështje janë mjaft shqetësuese.”
