Ushqimet e shpejta shpesh herë të shijojnë, por pasojat që të lenë në shëndet janë të frikshme.
Të tilla janë byreqet, pitet, hamburgërat e sanduicët që fëmijët në shumicën e rasteve i konsumojnë gjatë pushimit të madh në shkollë.
Mungesa e kohës nga ana e prindërve për të përgatitur diçka të freskët në shtëpi, por dhe dëshira që kanë të vegjlit për të ngrënë të tilla ushqime i detyron të rriturit që në shumicën e rasteve tu japin fëmijëve para me vete për të blerë çdo gjë që ato dëshirojnë.
Praktika e marrjes së bukës me vete në shkollë duket se po aplikohet vetëm tek fëmijët e klasave të parë e të dyta, të cilët e kanë të pamundur të dalin jashtë oborrit të shkollës.
Dietologia Albana Daka sqaron se ushqimet e gatshme dhe të shpejta janë burim i një serë sëmundjesh tek fëmijët.
Daka sugjeron vetëm ushqime të bëra në shtëpi.
“Pjesa më e madhe e prindërve kanë një ritëm jetë më të shpejtë se disa vite më parë, por nuk është angazhim shumë i madh i përgatitjes së një vakti të shpejtë për mëngjes”, shprehet ajo.
Dietologia sugjeron mbi të gjitha konsumimin e vaktit të mëngjesin nga fëmijët pasi ndikon në rritjen e rendimentit dhe përqendrimit në shkollë.
