Një depo e vërtetë armatimi, si t’i përkiste një formacioni ushtarak të mirë financuar, është zbuluar paraditen e djeshme në një banesë në fshatin Babicë në Vlorë. Snajper, pjesë përbërëse të armëve luftarake, pistoleta, qindra fishekë, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë për armët, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi optike vëzhgimi, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa dhe çelësa makinash, maska, fenelina dhe veshje të ndryshme janë zbuluar nga policia në operacionin e koduar ‘Knock Out 6’. Mes armaturës nuk mungon edhe një pistoletë stilolaps me 20 fishekë. Mësohet se operacioni u krye pas monitorimit të godinës dhe personave të dyshuar prej dy muajsh. Në operacionin e zhvilluar në orët e para të mëngjesit pas dy muajsh monitorim morën pjesë forcat RENEA, që duken në këto pamje teksa gjejnë bazën e armatimeve, një pjesë të të cilave ishin fshehur në papafingon e vilës dy katëshe. Policia sekuestroi një mori armatimi, municion luftarak, lëndë shpërthyese si dhe sende të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale. Gjatë aksionit është arrestuar shtetasi Luçiano (Albano) Deraj, i cili dyshohet se është i lidhur me grupet kriminale. 35-vjeçari u prangos ndërsa ishte në dhomën e gjumit, i shtrirë në krevat, por dyshohet se të tjerë persona janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal pasi baza e armëve shërbente si “supermarket” për të furnizuar me armë eksponentë të krimit. Armët dhe pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen një ekspertize teknike, biologjike dhe balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse armët e zjarrit janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale. Kujtojmë se edhe në muajin shkurt policia e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë, gjatë operacionit të koduar “Knock Out 4 dhe 5” sekuestroi një tjetër arsenal armësh zjarri: 1 minë me telekomandë, 5 kallëpe tritol, 7 kapsolla dentoatore, 4 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, , të cilat, bazuar në inteligjencë informative, dyshohet se do përdoreshin për ngjarje kriminale, për llogari të grupeve kriminale.
Reagon policia
Në konferencën për shtyp Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues, Ermal Muçaj, theksoi se dyshohet se armët e zbuluara, të jenë përdorur në 2 ngjarje kriminale të ndodhura koha më parë në qytetin bregdetar. “Jam sot këtu, për t’ju përcjellë rezultatet e operacionit policor të koduar “Knock Out 6”, i cili është zhvilluar në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi I Ligjit”, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të mundshme me pasoja të rënda kriminale. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë me mbështetjen e Forcave Speciale “RENEA”, janë përfshirë në veprime të thelluara hetimore dhe operacionale, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve kriminale, dokumentimin e aktivitetit të grupeve kriminale, identifikimin e anëtarëve të tyre dhe vënien përpara drejtësisë. Falë informacioneve të siguruara dhe të vërtetuara në rrugë operative, për subjektin Luçiano Deraj alias Albano Deraj, banues në Babicë te madhe Vlore ,nen hetim nga ana jone për kryerjen e dy veprave te renda kriminale ndodhur disa kohe me pare ne Vlore, i cili posedonte një arsenal armësh, municionesh luftarake dhe lëndë shpërthyese, për llogari te tij dhe personave te trete anëtare te nje grupi kriminal ne qytetin e Vlorës te cilit i atribuohen disa ngjarje kriminale”, deklaroi ai.
Armët e sekuestruara
1. Një armë zjarri snajper e kalibrit 7.62-mm, e montuar ne gjendje luftarake me silenciator (zhurmëmbytës).
2. Pjesë përbërëse arme luftarake për formimin e 2(dy) armë te tjera zjarri pushkë snajpere.
3. Një armë zjarri pistoletë, e markës Zastava, kalibri 10-mm, me ” dhe dy krëhëra me fishekë të po këtij kalibri.
4. Një arme Pistoletë-Stilolaps me ngjyrë Bronxi dhe një sasi prej 40 fishekësh të kalibrit 5.6-mm.
5. Një armë , e future në këllëf, e kalbirit 12mm, e prodhimit Rus.
6. Dy kuti plastike me material ndihmese për mirëmbajtjen e armeve snajperë.
7. Mine e përshtatur me celular dhe eksploziv plastik si dhe shtatë copë kallëp lëndë eksplozive plastik te kapaciteteve 200 dhe 400gr.
8. Katër silenciator me trup metalik me ngjyrë të Zezë për armë te gjata.
9. Një Dylbi Optik termik me ngjyrë ushtarake me mbishkrimin NUC FOR BEST IMAGE,me gjatësi 41-cm me shikueshmëri natën.
10. Katër dylbi optike si ato që vendosen në armët e zjarrit për shënjestër në largësi.
11. Dy palë dylbi optike vëzhgimi.
12. Aksesorë plotësues për shënjestra optike të armëve të zjarrit.
13. Një kuti plastike me ngjyrë të Zezë Brenda së cilës gjenden 200 copë fishekë 9-mm.
14. Nje sasi e madhe fishekësh të kalibrit 7.65-mm dhe 45 krehera automatiku fishekë të kalibrit 7.62, model 56 dhe një sasi e madhe fishekësh të po këtij kalibri.
15. Nje sasi e madhe fisheke kalibër 12 mm.
16. Disa mijëra fisheke luftarake kalibrave te ndryshëm, ndezës granatash dore.
17. Disa aparate telefonik celular qe do I nënshtrohen ekspertizës.
18. 21. Një radio marrëse-dhënëse, me mbishkrimin BOATHENG, me karrikuesin e saj ne vale te DVP Vlore.
19. Një pajisje me antenë me mbishkrimin DETECTOR K18 RFGS. Njësi qendrore kompjuteri e markës HP, dhe DVR.
20. Nje numër i madh targash automjetesh dhe çelësash te ndryshëm automjetesh.
21. Disa maska me ngjyre te zeze dhe maska silikoni me imazhin e kokës se njeriut.
22. Disa fenelina policie e veshje te ndryshme.
