Pak pas mesnatës së 4 shkurtit, Policia e Kukësit ka ndaluar në pikën e kontrollit në Rrugën e Kombit një mjet me targa Kosove në të cilin udhëtonte Luan Pira, person në kërkim. Ngjitur me makinën e tij, ishte një tjetër mjet në të cilin policia dyshoi se udhëtonte Flaka Abudallhu, në kërkim pasi dyshohet se është anëtare e grupit kriminal që u godit dhe u sekuestruan 46 kg tritol.

Policia ka shoqëruar Flakën dhe 4 personat e tjerë në mjet me të. Por, këtu është bërë një ngatërresë, sepse personat e shoqëruar ishin aktorë nga Kosova dhe po ktheheshin në vendlindje pas shfaqjes “The Handke Project” të mbajtur në Firence. E gjithë ngatërresa ka ndodhur për shkak të emrit të njëjtë të aktores dhe vajzës së shpallur në kërkim.
Dy ditë pas kësaj ngjarjeje, dramaturgu Jeton Neziraj, ka bërë një status në Facebook, ku shprehej se aktorët nga Kosova, përfshirë dhe veten e tij, u bënë subjekt i dhunës policore në Shqipëri.
Ai është shprehur se janë mbajtur për 10 orë në stacionin policor të Kukësit edhe pse kishin sqaruar se ishin aktorë.
Reagimi i Jeton Nezirajt:
Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri
Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.
U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.
Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.
U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucionev në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.
Ekipi i shfaqjes The Handke Project.
Reagimi i Drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në pikën e kontrollit në ‘Rrugën e Kombit’ ka reaguar për gazetën Nacionale në Kosovë, Tonin Vocaj, i cili pranoi se ishte bërë një ngatërresë dhe shkak ishte Flaka
“Kur është ndaluar makina që ka qenë ky Luan Pira, ngjitur me makinën e tyre ka qenë kjo Flaka aktorja. Kjo ka qenë e gjithë ngatërresa. Është marrë nga Kukësi ka ardhur në Tiranë. Është verifikuar brenda një kohe shumë të shpejtë që nuk është ajo Flakë. I kemi kërkuar falje për këtë, por kanë qenë disa koincidenca shumë të çuditshme”, u shpreh drejtori i Policisë së Tiranës.
Reagim i ministrit të Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka reaguar duke thënë se në lidhje me ngjarjen ka nisur verifikim nga ana e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, por mohoi pretendimet e dramaturgut për orët e tepërta mbajtjes në polici.
Balla shkruan se përkundrazi, Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje.
“Jam i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol. Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj:
Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMË”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMË” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë.
Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”.
Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë. Faleminderit”, shkruan Balla.
