Beteja më e madhe e opozitës këtë të enjte u zhvillua në portat e Parlamentit.
Në përpjekje për të ndaluar deputetët e përjashtuar të futeshin në seancë, Garda bllokoi hyrjen edhe të deputetëve të tjerë, përfshirë ata të mazhorancës.
Nuk munguan dhe tensionet e përplasjet fizike mes punonjësve të Gardës dhe deputetëve, por dhe mes deputetëve të të dy kahëve.
Deputetët e opozitës ishin ndarë në 3 grupe, dhe secili kishte rolin e tij në strategjinë e bllokimit të të tre hyrjeve të Kuvendit. Shumë nga socialistët kishin marrë masa që të ishin në seancë që në orën 09:00, ata që erdhën me vonesë u përplasën dhe verbalisht me kundërshtarët politikë.
Sali Berisha pretendoi se deputetët e mazhorancës kanë përdorur dhe hapësira alternative, si kjo dritare për të hyrë.
Kjo situatë nuk e pengoi kryeparlamentaren Nikolla të nisë seancën, në një sallë ku më shumë se deputetë kishte punonjës të Gardës, dhe të miratojë nën tymin e flakadanëve dhe grushtimit të tavolinave nga deputetët e opozitës, ndryshimet e rregullores.
Në një seancë që zgjati vetëm 8 minuta, shumica i miratoi me 74 vota edhe pse nuk u mor mundimi as të lexoheshin amendimet që ju bënë masave disiplinore.
Jashtë, Bardhi paralajmëroi se për këto ndryshime do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë seancë munguan 13 deputetë të opozitës, përfshi kryedemokrati Berisha të përjashtuar nga dy seancat e shkuara. Ndërkohë që nuk dihet nëse do të ketë ndonjë masë disiplinore për Edmond Spahon që ndezi një flakadan, që nëse do të ndodhë do të ndëshkohet me masat e reja të rregullores që parashikojnë 30 deri 60 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit.
