Lulzim Sari është një eksportues produktesh bujqësore nga Lushnja. Në muajin Nëntor 2023, ai niset drejt Gjermanisë ku kalon me 20 tonë kastravec, që e kishte grumbulluar nga fermerët e zonës.
Me anë të analizave në Gjermani, produkti rezultoi me përmbajtje Oxamyl, që është i ndaluar në vendet e BE-së që në Maj 2023.
Në Shqipëri ky pesticid është lejuar të tregtohet deri më 30 Shtator 2023.
Eksportuesi kërkon të merren masa sepse ai nuk ka asnjë përgjegjësi që produkti në fjalë dhe të tjerë të ndaluar gjenden në treg.
Lulzimi thotë se kosto e mallit të tij është mbi 30 mijë Euro.
Lulzim Sari: Erdhi në doganën e Qafë Thanës, mbaroi procedurat dogana, dhe pastaj kaloi në atë të AKU-së atje dhe AKU-ja në bashkëpunim me agjentët doganorë atje morën këtë masë për ta bllokuar. Erdhi AKU e Fierit ditën tjetër. Kosto e mallit bashkë me transportet vajtje-ardhje dhe shpenzimet që do bëhen këtu për pjesën e groposjes, asgjesimit e kalon 30 mijë euroshin.
Gazetari: Është detyrë që do ta bëni ju?
Lulzim Sari: Këtë jam unë i detyruar, e kam firmosur edhe dokumentacionin me inspektorët e AKU-së për ta asgjesuar këtë mall.
Gazetari: Ku e merrni këtë produkt e zotërisë, si e mblidhni, si e grumbulloni?
Lulzim Sari: Ne e grumbullojmë nga fermerët vendas këtu, Fier, Lushnje, Berat, në gjithë zonën këtu ku ka sera. Këtu qarkullojnë preparate që nuk janë të lejuara në Evropë dhe në Shqipëri.
Elvis Shkëmbi, agronom, thotë, se kur BE heq një pesticid nga qarkullimi, duhet ta heqë njëkohësisht edhe vendi ynë.
“Duhet bashkëpunimi mes shteti shqiptar dhe komunitetit europian që në momentin që një lloj pesticidi që nuk është më aktiv në komunitetin europian duhet të hiqet edhe në tregun shqiptar. Sepse ndodh si fakt që vonesa e update-imit të listave të pesticideve të palejuara në komunitetin europian, normalisht kanë vonesa dhe kur fermeri nuk është i update-uar dhe farmacia nuk është e update-uar vazhdon në mënyrë të rregullt që të shiten këto pesticide. Gjatë kohës që përdoren këto pesticide që nuk lejohen në komunitetin europian, atëherë fermerët vazhdojnë aplikimet normale dhe vazhdojnë dërgojnë produktin përfundimtar tek eksportuesi. Duke çuar produktin përfundimtar tek eksportuesi automatikisht ai produkt shkon direkt në shtetet e ndryshme të Europës që në momentet e bërjes së analizës i referohen në bazë të një produkti që e kanë eliminuar si produkt ose pothuajse e kërkojnë me vlera pothuajse zero”, tha ai.
Gentian Sulo, fermer, tregon se nuk e studion dot pesticidin mbasi e blen.
“Kam 12 dynym serë. I besoj si puna e të sëmurit që shkoj tek doktori. Unë nuk e di çfarë më jep atje, do vej do marr ilaçe. Përgjegjësia është e shtetit. Produktet e ndaluara andej i gjen në Shqipëri”, tha ai.
Edhe fermeri tjetër Mikel Dhana, fermer thotë se i beson farmacistit pa e ditur nëse është ose jo i dëmshëm.
“Shumë herë më ka ndodhur që kam pasur probleme me bimën dhe kam shkuar te farmacia dhe farmacia më ka rekomanduar një ilaç të asaj lloj sëmundje pa e ditur unë që është e dëmshme për popullin apo jo. Nëse unë e kam blerë atë pesticid dhe ka pasur atë brenda, ajo nuk ka ardhur me dëshirën time, se nuk ma ka deklaruar agronomi që vërtetë do ta përdorësh, por kjo ka afat kohe 10 ditore”, tha ai.
