Një atentat mafioz me tre viktima dhe një të plagosur është regjistruar mesnatën e kaluar në Memaliaj, ku shënjestër e atentatit kanë qenë anëtarë të fisit Kalemi.
Sipas autoriteteve policore, ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 23:20 në ambientet e lokalit të shtetasit K. K. në lagjen nr. 3 të Memaliajt.
Burime bëjnë me dije se si pasojë e të shtënave të breshërisë së kallashnikovit kanë mbetur të vrarë Shyqo Kalemi 74 vjeç, Marsel Cela 47 vjeç, si dhe Gëzim Muka, 36 vjeç, ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Artur Kalemi 57 vjeç.
Mësohet se Shyqo Kalemi është babai i Andrea alias Adriatik Kalemi dhe Zamir Kalemit të cilit iu kanë shpëtuar tre atentateve të mëparshme.

Ndërsa dy viktimat e tjera Marsel Cela dhe Gëzim Muka mësohet se ishin njëri klient i lokali dhe trjetri kamarier i lokalit, duke shënuar dhe dy viktima aksidentale.
I plagosuri Artur Kalemi është transportuar me urjgencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, teksa ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
Burime bëjnë me dije se autorët kanë qenë me një automjet tip “BMW” me ngjyrë të zeza dhe kanë hapur zjarr me breshëri kallashnikovi nga makina drejt lokalit, duke vrarë tre persona dhe plagosur një tjetër. Pas atentatit mafioz autorët janë larguar drejt Mallakastrës ku kanë djegur automjetin e përdorur në krim në fshatin Bejaj, detaj ky i konfirmuar dhe nga Policia e Shtetit.
Autoritetet njoftojnë se Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve.
Një prej pistave ku po heton Policia është hakmarrja që ka lidhje me Andrea (Adriatik) Kalemin. Dyshohet se atentati i mbrëmshëm ka lidhje me sagën e vrasjevë të nisur që prej 11 Qershorit të vitit 2022 ku u ekzekutua Aleksandër Sadikaj në një atentat me eksploziv pranë rrethrrotullimit të TEG dhe që pasoi disa muaj më vonë, më 16 Dhjetor të po atij viti me vrasjen e Edmond Papës në zonën e Selitës në Tiranë.
