Sot bëhen 26 vite nga ekzekutimi i Azem Hajdarit pranë selisë së Partisë Demokratike, e cila më pas do të konsiderohej si vrasja e shekullit për shkak të figurës së tij, si dhe ngjarjet që rrodhën më pas me tentativën për grusht shteti dy ditë më pas. Kjo ngjarje sot e pazbardhur fsheh shumë mistere, pasi vetë bashkëpunëtori i Sali Berishës, Izet Haxhia akuzon Sali Berishën si përgjegjësin kryesor. Por ish-kryeministri deri më sot ia ka hedhur paq, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi para pak javësh rekursin e Izet Haxhisë, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të vitit 2022, e cila po ashtu la në fuqi dënimin me 21 vite burg të Haxhisë, për vrasjen e deputetit Azem Hajdari në vitin 1998. Izet Haxhia kërkonte prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave proceduriale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm. Por kjo nuk ndodhi.
Akuzat e Izet Haxhisë për Berishën
Izet Haxhia ka thënë në 25 nëntor të 2021 se nuk e nxori ai në pritë Hajdarin, ish-deputetin e PD-së, ndërsa akuzoi si autor të vrasjes Fatmir Haklajn. “Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, tha Haxhia.
Akuzat ndaj Berishës
Në një nga seancat gjyqësore, që u mbajt në 24 qershor të 2018-ës, Haxhia akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se ka paguar 1 milion euro për eliminimin e tij në Turqi te klanet mafioze turke. “Në historinë postkomuniste të Shqipërisë, dosja e shekullit është tregues i futjes së duarve. I futjes së duarve në drejtësi, nga dy klanet kriminale, të malësorëve të Skraparit dhe të Tropojës. Unë le të dënohem dhe pse unë e kam vuajtur dënimin në Turqi. Përpos të gjithave, unë dua të dëgjohem. Nuk kam ardhur më herët sepse edhe gjatë kohës që kam qenë në Turqi, i janë paguar nga klanet kriminale politike, 1 milion euro trafikantëve në Turqi për eliminimin tim fizik”, tha ai në sallën e gjyqit.
Rrëfimi i Idajet Beqirit, avokati i Izet Haxhisë
Gjithashtu Idajet Beqiri ka dhënë konkluzionet e tij dhe argumentet se përse klienti i tij është i pafajshëm, duke rrëfyer disa detaje të forta për vrasjen e Azem Hajdarit, tw cilat i janw paraqitur dhe nw gjyqin e Izet Haxhisë. “Në datën 1 qershor 1998 Izet Haxhia ishte në Tropojë pasi kishte përvjetorin e parë të vdekjes së vëllait të tij. Aty ka parë me sytë e tij dhe ka dëgjuar nga shumë burime të përgjegjshme se situata ishte tepër shpërthyese, posaçërisht kundër Sali Berishës dhe Azem Hajdarit. Sapo është kthyer në Tiranë, ka takuar vëllanë e Azem Hajdarit, të quajturin Sali Hajdari. Në këtë takim ishin të pranishëm Lulëzim Sterka dhe Dem Dollapi. Izet Haxhia i ka thënë vëllait të Azemit, Sali Hajdarit që të mos e lejonin Azemin të shkonte në Tropojë, sepse situata atje ndaj tij dhe ndaj Sali Berishës është vërtetë tepër e rrezikshme. Vëllai i Azemit, Sali Hajdari, i thotë:
“Azemi dhe ne shkojmë ku të duam dhe nuk kemi frikë askënd”! Këtë fakt për situatën në Tropojë Izet Haxhia ia bëri me dije edhe Sali Berishës dhe të tjerëve në selinë e PD-së. Sali Berisha, në vend që ta ndalonte Azem Hajdarin për të shkuar në Tropojë, në datën 3 qershor 1998, e nxiti atë, Vili Minarollin dhe Bardhyl Pollon që të shkonin! Në orën 22:30 të natës, kur Azem Hajdari, Vili Minarollin, Bardhyl Pollo, etj, ndodheshin në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, u erdhi një telefonatë ultimatum se në rast se nuk largoheshin me urgjencë nga zyra e Bashkisë dhe nga Tropoja, një predhë kundër tank do hidhej mbi ta. Azem Hajdari dhe të tjerët dolën nga zyra dhe hipën në dy makina për të udhëtuar në drejtim të shtëpisë së tij në Bajram Curri. Në makinën e dytë ishte Azem Hajdari dhe Bardhyl Pollo. Makina e parë kaloi pa asnjë problem, ndërsa makinës ku ishte Azem Hajdari iu bë pritë dhe në drejtim të saj u derdhën 160 plumba. Mbeti i plagosur Bardhyl Pollo në të dyja këmbët.
