112-vjetori i Policisë, Naço: Bashkëpunoni me Prokurorinë për rezultate, shoqëria pret shumë nga ju

Data

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço vlerësoi dje punën e Policisë së Shtetit në garantimin e rendit dhe sigurisë, ndërsa nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e tjera. Në aktivitetin e organizuar me rastin e 112-vjetorit të Policisë së Shtetit, Naço u shpreh se Policia e Shtetit ka një mision të vështirë dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera duhet të jetë më i ngushtë. “Në çdo rast pa shtyllën kurrizore që është prokuroria ju nuk do të keni rezultate. Besoni te njëri-tjetri dhe bashkëpunoni që të keni rezultate sepse shoqëria pret shumë nga ju. Policia e Shtetit meriton të ketë më shumë mbështetje edhe nga politika.

Për politikën them se duhet të ndahet nga ju dhe mos të ndërhyjë, por t’ju lërë të lirë në realizimin e misionit tuaj”, tha Naço. Naço e konsideroi 112-vjetorin e Policisë së Shtetit si një moment reflektimi dhe vlerësimi për të gjithë ata që kontribuar në këtë institucion kaq të rëndësishëm për sigurinë e vendit. “Mirënjohje për çdo punonjës të Policisë së Shtetit që ndër vite ka kontribuar dhe përballet me sfida duke vënë edhe jetën e tyre në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së atdheut. Ju keni një mision fisnik që meriton respekt e mirënjohje nga çdo qytetar. 112 vite nuk janë thjesht një shifër, por përfaqësojnë dekada sfidash, përpjekjesh e sakrificash për të ndërtuar një forcë policore që jo vetëm ruan rendin por edhe respekton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut”, tha Naço.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related