Demokratët e lexojnë si një tjetër shenjë bllokimi refuzimin që vjen nga socialistët sa i përket propozimeve të opozitës për Reformën Zgjedhore. As rikthim të koalicioneve para zgjedhore, as ndryshim të sistemit zgjedhor nuk pranon mazhoranca, siç e bëri të qartë Klotilda Bushka pak ditë më parë.
Në të njëjtin grup pune me të është Oerd Bylykbashi që vëren të tkurren hapësirat e dialogut.
“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin e PD dhe të opozitës. Rikthimi i koalicioni, siç ka qenë që nga 2003 në marrëveshjen e 5 Qershorit 2020 është një prioritet politik. Qëndrimi i PS është një qëndrim që justifikon atë që ata bënë në 2020,shkeljen e marrëveshjes së 5 Qershorit”, – tha Bylykbashi.
Sipas Bylykbashit, rikthimi i koalicioneve parazgjedhore do të zgjidhte dhe problemin e deformimit të votës. Ndërsa pretendimi i socialistëve se nuk ka kohë për të ndryshuar sistemin, nuk e bind.
“Mos të harrojmë një gjë, PS e ndryshoi sistemin zgjedhor në 5 Tetor kur Presidenti kishte shpallur me dekret zgjedhjet e 2021, që do të thotë shumë më pak se periudha kohore që socialistët pretendojnë se është afati për ndryshime. Të gjitha këto janë justifikime me qëllimin e vetëm që të qëndrojnë si janë sot, pasi mendojnë se me ligj mund të fitojnë dhe të manipulojnë votën”,- shtoi ai.
Bylykbashi shpjegon se manipulimi i votës ndodh edhe me organet që administrojnë zgjedhjet, ndaj ka propozuar riformatim të institucioneve që menaxhojnë garat elektorale.
“KQZ është e kapur politikisht nga PS në tre organet e tij, qoftë në Komisionin Rregullator, qoftë Komisioneri Shtetëror, qoftë edhe KAS. Po ashtu edhe Kolegji Zgjedhor është i kapur nga PS nëpërmjet Vetting-ut. Pra e gjithë qeverisja dhe drejtësia zgjedhore janë në duart e PS”, – tha deputeti demokrat.
Zyrtarisht, dialogu po vijon në Kuvend në nivel teknik dhe politik, por Bylykbashi tregon se socialistët kanë qëllim ta dështojnë reformën.
“PS ka një qëndrim refraktar, nuk po prodhon hapësirë. Ajo që pritej, ajo që po diskutohej që në fillim. Deri më sot nuk kanë dhënë hapësirën që kjo reformë të ecë me sukses. Kemi bërë propozimet tona në nivel politik dhe teknik për të ecur me zgjidhje”, – përfundoi Bylykbashi.
Largim nga tryeza e dialogut nuk ka, ku do të kërkohet zgjidhje edhe për votën e emigrantëve.