Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për dosjen mbi skandalin e mikrokredive dhe ka hedhur më tepër dritë lidhur me skemën e mashtrimit që ka funksionuar për mbi nëntë vite dhe ka rrënuar mijëra qytetarë shqiptarë, përmes një rrjeti kriminal ku bënin pjesë shoqëri financiare, përmbarimore dhe individë të lidhur mes tyre. Sipas të dhënave nga dosja hetimore e SPAK, skema ka sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, me përfitime të paligjshme që kapin shifra të “kripura”. Në përfundim të hetimeve janë siguruar të dhëna të sakta se të pandehurit Elda Ibro, Arben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Albert Gega, Olsi Ibro (i ndjeri), Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Yliana Sejfo, Indrit Çuberi, Rigels Bejko, Altin Vako, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Roland Deda, Endri Myftari, Personi juridik “Micro Credit Albania” sh.pk., Personi juridik “ADCA” sh.p.k., Personi juridik “Final” sh.p.k., “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group” kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikimit të dokumentave”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/3; 186/1; 186/3; 333/a dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal. Bëhet me dije se për të akuzuarit parashikohen mbi 10 vjet burg, sipas neneve të Kodit Penal.
Si nisi hetimi
Hetimet për këtë skemë mashtrimi nisën pas tre kallëzimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë përgjatë viteve 2018, 2020 dhe 2024. Në qendër të hetimeve janë shoqëritë Micro Credit Albania (MCA) dhe Final sh.p.k., të cilat, së bashku me përmbarues privatë dhe zyrat përkatëse, kanë ndërtuar një strukturë të përbashkët kriminale me qëllim përfitimin e paligjshëm nga qytetarët në vështirësi ekonomike. “Nga hetimet e zhvilluara deri në këto momente, në kuadër të këtij proçedimi penal (procedim i cili është bashkim edhe i shumë procedimeve të tjera penale) ka rezultuar e provuar se duke filluar nga viti 2015, shtetasit nën hetim (i ndjeri) Olsi Ibro, Elda Ibro (bashkëshortja e Olsi Ibro), Arben Meskuti, Indrit Çuberi (vëllai i bashkëjetueses së Arben Meskuti), Aldo Daka (ish punonjës i shoqërisë përmbarimore Zig në pronësi të Arben Meskutit), Albert Gega (ish punonjës i shoqërisë ZIG në pronësi të Arben Meskutit), Alban Kote (ish përmbarues i shoqërisë Zig në pronësi të Arben Meskuti), Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi dhe Roland Deda të gjithë ortakë apo administratorë të shoqërive tregtare të kallëzuara nga Ministria e Drejtësisë (të cilat de jure kanë qënë të ndara por de facto kanë vepruar si një e vetme), të ndihmuar në veprimtarinë e tyre, nga vitit 2021 e në vijim nga përmbaruesit- Fatos Alimadhi, Helidon Xhindi, Lefter Canaj, Rigels Bejko, Endri Myftari, Altin Vako, në bashkëpunim edhe me eksperten e vlerësimit të pasurive të paluajtshme Yliana Sejfo, kanë krijuar se bashku një grup të strukturuar kriminal, veprimtaria e të cilit ka pasur si qëllim zhvatjen e pasurisë së qytetarëve të cilët ishin debitorë në vonesë, detyrimet e të cilëve u blenë nga bankat e nivelit të dytë nga shoqëritë MCA sh.p.k, shoqëri në pronësi të shtetases nën hetim Elda Ibro dhe Final sh.p.k – shoqëri në pronësi të shtetasit nën hetim Arben Meskuti. Shtetasit e sipërcituar rezultojnë të jenë themelues, ortakë apo administratorë të disa shoqërive tregtare, të cila kategorizohen si: Shoqëri të licencuara si institucione financiare jo banka (Micro Credit Albania sh.a /sh.p.k (MCA) dhe Final sh.p.k); Shoqëri përmbarimore (Zig, FS, Flash, TDR, LDC) apo përmbarues persona fizikë; Zyra avokatore / ose zyra me veprimtari “gjerimi i punëve të tjerëve” (shoqëria ADCA dhe Personi Fizik Alban Kote). Nga hetimi ka rezultuar se, shoqëritë e sipërcituara kanë vepruar si shoqëri e vetme që ka karakteristika të qarta të një grupi të strukturuar kriminal2, veprimtaria e të cilit është drejtuar nga shtetasit Olsi Ibro, Elda Ibro dhe Arben Meskuti”, thuhet në dosjen e SPAK.
