Shqipëria nisi dje bisedimet konkrete të anëtarësimit me Bashkimin Europian, për kapitujt e parë, me organizimin në Luksemburg të Konferencës së dytë ndërqeveritare. Grupkapitulli i parë është një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë; drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike. Në këtë grup, siç quhet ndryshe edhe ‘bazat’ ose ‘themeloret’, përfshin edhe prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar. Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Edhe pse kryeministri Edi Rama u angazhua për përmbushjen pa vonesë të detyrimeve që rrjedhin nga bisedimet dhe e cilësoi ditën e djeshme si historike, tmerri për liderin shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tij, ministra, ish-ministra dhe deputetë sapo ka filluar.
Shqipëria duhet të plotësojë me çdo kusht kapitujt 23 dhe 24 të cilët janë më kryesorët për integrimin evropian të vendit. Më konkretisht, në kapitujt 23 dhe 24, BE kërkon që të nisin arrestimet në nivele të larta, çka do të thotë se po ngushtohet laku për “mamuthët” e korrupsionit, ku dihet që lista për emrat “VIP” që lakohen se janë përshirë në afera korruptive dhe kriminale janë shumë, të cilët tashmë falë procesit të negociatave, do t’iu duhet të japin llogari para drejtësisë (SPAK dhe BKH) për zullumet që kanë bërë. Pra, kjo do të thotë se nëse nuk arrestohen pushtetarët e korruptuar, proceduarat e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE mbeten në mes. Po ashtu BE ka vendosur afate fikse se deri kur duhet të realizohen arrestimet “VIP”, ndërkohë duke nisur që nga dita e djeshme, vendi do të jetë në monitorim të rreptë nga BE.
BE konsideron luftën kundër korrupsionit ende e pamjaftueshme
Gjithashtu, sipas pozicionit negociues të Bashkimit Evropian, i cili u bë publik, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në lidhje me luftën kundër korrupsionit, me lirinë e medias apo me regjistrimin dhe transparencën e pronësisë. BE nënvizon gjithashtu se ecuria e ekonomisë shqiptare ka qenë “nën potencial” dhe konvergjenca, pra afrimi i nivelit ekonomik të Shqipërisë me mesataren e BE-së, është “i ngadaltë”. Kritikat më të mëdha lidhen me zhvillimin në dukje më domethënës të viteve të fundit, luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, me disa ministra dhe dy dyzina me zyrtarë të lartë të akuzuar apo të dënuar, përfshirë një ish-zëvendëskryeministër dhe një ish-kryeministër. Ndërsa këto zhvillime duken të mëdha në krahasim me pothuajse zero të dënuar më parë, për zyrtarët e Brukselit rezultati është jo më shumë se sa inkurajues, por gjithsesi “i pamjaftueshëm”. “BE mban shënim si pozitive disa dënime finale për akuza për korrupsion kundër zyrtarëve të lartë,” thuhet në pozicionin negociues të BE-së. “BE nënvijëzon gjithsesi se korrupsioni është i gjithëpërhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe të biznesit, përfshirë të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore dhe institucionet dhe kjo mbetet një fushë shqetësimesh serioze,” shkruhet më tej në dokument.
“BE mban shënim gjithashtu se masat anti-korrupsion kanë pasur në përgjithësi ndikim të kufizuar deri tani në sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni.” Shqipëria ndërmori Reformën në Drejtësi në vitin 2016 dhe që nga ajo kohë, suksesi i arritur në pastrimin e sistemit përmes procesit të vetingut dhe rastet e para të akuzave dhe dënimeve për korrupsion nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shërbyer si argument kyç për përparimin e Shqipërisë në arritjen e kritereve të kërkuara për anëtarësim. Por ndryshe nga kjo, BE duket se ka shtruar pyetjen nëse suksesi i deritanishëm është apo jo i mjaftueshëm për të konkluduar se korrupsioni po luftohet siç duhet dhe ka dalë në konkluzionin se ndikimi real ka qenë “i kufizuar”. Krahas vlerësimit të përgjithshëm për gjendjen e korrupsionit, BE bën thirrje veçanërisht për hipotekat që të “ndërmarrin masa të shëndosha kundër korrupsionit” si dhe të kujdeset që kërkesat të trajtohen tërësisht brenda afatit ligjor 45 ditor. Dokumenti vëren se mungesa e të drejtave të pronësisë në vend dhe vështirësitë në regjistrimin e pronave “vijojnë të kufizojnë funksionimin efikas të ekonomisë së tregut”.
