Sektori i eksporteve të tekstileve dhe veshjeve te këmbës vijon të jetë në vështirësi për shkak të rënies së euros dhe kontratave porositëse nga vendet e Europës. Vështirësitë e sektorit kanë sjellë mbylljen e një sërë fabrikash dhe shkurtim të vendeve të punës.
Edvin Prençe kryetari i Shoqatës ProEksport Albania tha për “Monitor” se nga muaji nëntor i vitit 2023 deri në muajin nëntor 2024, në sektor llogariten mbi 10 mijë vende pune të shkurtuara dhe rreth 50 biznese që kanë mbyllur aktivitetin.
“Përveç mbylljes së fabrikave, shkurtimi i shumë prej vendeve të punës ka ardhur edhe për shkurtimin e linjave të prodhimit. Shumë prej fabrikave kanë përgjysmuar linjat e prodhimit për të reduktuar kostot e tyre. Ndërsa numri i fabrikave të mbyllura është i lartë. Vetëm brenda muajit janë mbyllur 3 fabrika në zonën e Durrësit me rreth 400 punonjës. Javën e kaluar u mbyll një tjetër fabrikë në zonën e Ndroqit, me pronësi italiane. Pas mbylljes së aktivitetit pronari u detyrua të shesë makineritë me çmim të lirë”.
Shkurtime të vendeve të punës në sektorin fason pati edhe përgjatë vitit 2023, ku ndër zonat më të prekura ishin në Krujë, Fushë-Krujë, Laçi, Lezhë e Shkodër.
“Më të prekura nga mbyllja e vendeve të punës janë zonat rurale dhe krijon ndikim social te punësimi i këtyre zonave, ku nuk ka zhvillim ekonomik për të krijuar vende pune”, nënvizon kryetari i ProEksport Albania.
