Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, gjatë fjalës së tij në Këshillin e Stabilizim-Asocimit. Ai deklaroi se qeveria ka miratuar licenca fotovoltaike pa kryer një studim të mirëfilltë të rrjetit energjetik dhe pa analizuar kapacitetin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes.
Sipas Këlliçit, 90% e licencave për energji diellore, që mbulojnë një kapacitet prej 6500 MWp, zotërohen nga një grup i vogël kompanish të lidhura me persona nën akuzë për përfshirje në organizata mafioze dhe krim të organizuar.
“Licencat prezantohen si sukses nga qeveria, por në fakt janë dhënë në kundërshtim me ligjin, duke shkatërruar tokën bujqësore dhe favorizuar struktura kriminale që janë pronarët realë të këtyre projekteve”, u shpreh Këlliçi.
Deputeti opozitar akuzoi gjithashtu se në sektorin e energjisë janë bërë investime të dyshimta me vlerë mbi 2 miliardë euro, ndërsa rrjeti i transmetimit dhe shpërndarjes mbetet mes më problematikëve në rajon, me humbjet më të larta të energjisë elektrike në Ballkan.
Fjala e plotë:
Të nderuar miq Eurodeputetë,
Të nderuar kolegë,
Sot në fjalën time dua të fokusohem në një nga sektorët më të rëndësishëm, atë energjitik, i cili përbën bazën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe e gjithë infrastruktura e tij është infrastrukturë kritike, me ndikim të lartë në sigurinë tonë kombëtare.
Shqipëria burimin kryesor të energjisë parësore e siguron nga produktet e naftës, energjia hidrike, energjia elektrike e importuar, përdorimi i druve të zjarrit dhe sasi të tjera shumë të vogla nga burime alternative.
Familjet shqiptare konsumojnë 500 ktoe nga të cilat 125 ktoe sigurohen nga djegia e druve të zjarrit. Thënë qartë familjet shqiptare 25% të energjisë e sigurojnë nga djegia e druve të zjarrit, ç’ka bën që Shqipëria të dështojë në integrimin e energjisë së rinovueshme në sistemin e ngrojes dhe ftohjes. Kjo ka një ndikim shumë të lartë në përmbushjen e Direktivës Vlerësimit dhe Impaktit Mjedisor. Shqipëria ka shfrytëzuar afërsisht 50% të potencialit të saj hidroenergjetik, ndërkohë që ndihma e drejtpërdrejtë shtetërore në zhvillimin e këtij potenciali ka munguar.
Energjia e humbur dhe e pafaturuar (vjedhjet) nga kompania shtetërore që realizon furnizimin është 1.41 TWh ose 121 ktoe. Kjo sasi energjie është sa 23% e energjisë së përdorur në rrjetin e shpërndarjes për një total prej 6.1 TWh.
Sasia e energjisë së tregtuar në treg të lirë nga Bursa Shqipëri/Kosovë e energjisë është 0.371 TWh. Kjo është më pak se 5% e konsumit total të energjisë elektrike në vend, ose është sa furnizimi 15 ditor në vend me energji. Shqipëria nuk përmbush Direktivën (EU) 2019/944 për “Retail Market”, ku konsumatorët që janë nxjerrë në treg të lirë nuk gjejnë dot furnizues dhe furnizohen nga Shërbimi i Mundësisë së Fundit që jepet nga kompania shtetërore e furnizimit të energjisë me çmime të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë.
Aktualisht drejtori i Bursës Shqiptare të Energjisë është nën hetim për favorizim të tregtarëve të furnizimit me energji elektrike, deformim të tregut të energjisë elektrike nëpërmjet kontratave të njëanëshme me tregtarë spekulativë dhe çmime zyrtarisht të provuara më të larta se ato që publikon bursa Shqiptare e Energjisë.
Procesi Unbandling në sistemin e shpërndarjes së energjisë nuk është realizuar sipas kërkesave të Komunitetit të Energjisë. Ende nuk është krijuar Operatori i Energjisë së Rinovueshme dhe të tre kompanitë e ndara nga Operatori Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë janë nën kontrollin e kompanisë mëmë OSSHE, pra jemi ende larg direktivave.
Kjo ka sjellë që rregullat e mekanizmit balancues të rëndojnë tek prodhuesit privat të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme dhe në mungesë të adoptimit të Rregullit (EU) 2022/869, të ketë pasiguri në bashkëpunimin e ndërsjellë të balancimit të sistemit të operimit, si bllok kontrolli i pavarur për ngarkesën dhe frekuencën e sistemit.
Keq menaxhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme e mban larg Shqipërinë nga objektivat e 2030 dhe 2050 për të rritur përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe për të ulur emetimet e efektit serë. Kjo fakton që tregu i energjisë elektrike nuk është i integruar dhe vijon të operohet në formë të deformuar.
Si pasojë e këtij deformimi sektori i energjisë elektrike ka humbjet më të larta të energjisë në rajonin e Ballkanit dhe investimet me efiçencën më të ulët në rajon.
Nga viti 2015 në sektorin energjitik janë investuar më shumë se 2 miliardë Euro, por vendi ynë vijon të ketë rrjet të transmetimit dhe të shpërndarjes që nuk garanton siguri furnizimi dhe humbje shumë të larta në krahasim me vendet anëtare të ENTSO-e.
Në 99% të rasteve këto investime realizohen me vlerën limit të përcaktuar nga enti prokurues, me një ofertues të vetëm dhe shumë drejtues të korporatave energjitke janë nën hetim, marrë të pandehur ose të dënuar për korrupsion dhe favorizim tenderash. Rasti i fundit është dhe vetë zv. KM Belinda Balluku.
Gjatë vitit 2024-2025 Shqipëria ka patur një blackout total me efekt kaskadë në Malin e Zi dhe Kroaci dhe një blackout në gjysmën e territorit të saj. Në të dyja rastet ajo ka vënë në rrezik rrjetin sinkron të interkonjeksionit dhe pasojat mund të ishin të rënda edhe për evropën kontinentale.
