Ja çfarë fshihet pas bonusit që do të jepet në pranverë për pensionistët, eksperti i njohur Kujtim Hoxha jep

Data

Eksperti i njohur i ekonomisë, Kujtim Hoxha ka folur për bonusin që ka premtuar se do të japë qeveria në pranverë për pensionistët. Sipas tij, ky vendim nuk është një zgjidhje për të plotësuar nevojat e tyre afatgjata. Bonusin, z.Hoxha e cilëson gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, si një hap të qeverisë për të bërë mashtrimin tjetër për të marrë votat e pensionistëve

Ai tregon dhe dy mënyrat e vetme që të moshuarit të përfitojnë rritjen e madhe për të mbuluar shpenzimet e tyre. Për ekspertin, një pension i plotë, i trembëdhjetë muajsh, do të ishte një ndihmë e madhe për pensionistët. Gjithashtu sipas tij, zgjidhje përfundimtare do të ishte rritja reale e pensionit, i cili merret çdo muaj. “Bonusi i pranverës është paralajmëruar nga qeveria para mbylljes së vitit 2024. Në aspektin ekonomik, bonusi është një ndihmë për pensionistët në momentin aktual, por nuk është një zgjidhje për të plotësuar nevojat e tyre afatgjata. Nuk është shumë e rëndësishme nëse e merr bonusin një herë apo dy herë në vit. Nevojat e pensionistëve janë të shumta dhe të ndryshme, dhe ato janë të pranishme gjatë gjithë vitit.

Kam idenë se një pension i plotë, i trembëdhjetë muajsh, do të ishte një ndihmë e madhe për pensionistët. Por ajo që do të zgjidhte përfundimisht problemet e pensionistëve do të ishte rritja reale e pensionit, i cili merret çdo muaj. Kjo nuk i lë hapësirë subjektivitetit të qeverive, të kësaj të sotme dhe asaj të ardhshme, për të luajtur sipas rastit, sidomos gjatë fushatave elektorale. Duhet të jetë një detyrim që qeveria ta vendosë me ligj. Në këtë mënyrë, ky bonus duket si një hap i qeverisë për të bërë mashtrimin tjetër për të marrë votat e pensionistëve. Rritja e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, shërbimeve dhe barnave është shumë më e lartë se një apo dy bonuse në vit. Kjo nuk është një zgjidhje e problemit të pensioneve. Problemi është rritja e pensioneve mbi minimumin jetik, i cili duhet të jetë një detyrë e përhershme e qeverive”, tha ai për gazetën “SOT”.

Bonusi i pranverës

Kujtojmë se Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normativ për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin 2025. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, është parashikuar shpërndarja e bonusit të pranverës për pensionistët, që do të ketë një vlerë të ndryshme në varësi të shumës së pensionit. Pensionistët me pensione nën 20 mijë lekë do të përfitojnë një bonus prej 100 euro, ndërsa ata me pensione mbi këtë vlerë do të marrin një bonus prej 50 euro. Për këtë qëllim, do të krijohet një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë, ku do të transferohen 6.3 miliardë lekë për të garantuar shpërndarjen e bonusit.  Nga ana tjetër “Lëvizja BASHKË”, ka paralajmëruar protestën e radhës për të kërkuar të drejtat e munguara të pensionistëve. Tubimi do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 10:00 para Kryeministrisë, ndërsa organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët që të protestojnë dhe të grenë zërin për pensionistët të cilët janë kategoria më e vuajtur dhe harruar nga qeveria Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related