Evi Kokalari: Sali Berisha shiti zgjedhjet lokale te Edi Rama në këmbim të kullës së malit, tani do plasë pazari i…

Data

Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe mbështetëse të këtij të fundit. Dy ditë më parë u mbajt aktiviteti “Forumi për të Ardhmen e Shqipërisë – Rruga Konservatore”, organizuar nga “The Albanian Policy Center, The Heritage Foundation” dhe “Nazione Futura.” Këtij aktiviteti iu bashku online edhe zoti Berisha, i cili mbajti një fjalë. Por në lidhje me këtë aktivitet ka reaguar edhe aktivistja Kokalari, e cila përmes një statusi në rrjetet sociale zbulon se si Sali Berisha shiti zgjedhjet lokale te Edi Rama në këmbim të kullës së malit, ndërsa theksoi se tani do plasë pazari i tyre i radhës.

Po ashtu, ajo tregon se si PD po bashkëpunon me lëvizjen që mbështet Putinin, Orbanin dhe Vuçiçin. “Pseudo-konservatorët e PD-së po bëjnë konferencën e radhës, duke e dëmtuar konservatorizmin akoma më thellë. Herën e parë e bënë në të njëjtën kohë që Berisha bëri koalicionin me Ilir Metën dhe kur fushatën lokale Berisha e kishte lënë në tavolinë në këmbim të kullës së malit. Detyra e tyre ishte të tërhiqnin vëmendjen nga pisllëku i radhës. Tani po e bëjnë në prag të pazarit Rama-Berisha, duke abuzuar sërish me konceptin. Akoma më skandaloze është se pjesë e kësaj do të jetë edhe grupi hungarez “Center for Fundamental Rights”, që është ekstremi i djathtë në Evropë dhe mbi të gjitha mbështetës i çështjes serbe kundër Kosovës.

Në fakt, këta kanë në emër të konservatorizmit dhe nacionalizmit, shtyrë idenë që Kosova i takon Serbisë dhe duhet t’i kthehet urgjentisht. Organizatorët e kësaj konference më ndjekin në X dhe e dinë betejën time me fashistët e lëvizjes sonë MAGA, që po abuzojnë keq me konservatorizmin amerikan, duke i dhënë krah Rusisë, Serbisë dhe fashistëve të Hungarisë. Pra, e dinë shumë mirë kush është organizata e “Center for Fundamental Rights”. Sa për ide, këta janë shumë afër Orbanit dhe nëse e keni vënë re, edhe Georgia Meloni i është larguar, sepse këta kanë kaluar në fashizëm total. Turp për abuzimin që bëni me konservatorizmin dhe mbi të gjitha me çështjen e Kosovës”, shkroi ajo.

Kokalari sulmon Bardhin dhe grupin e tij

Ndërkohë pak ditë më parë, Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari përmes një statusi në rrjetet sociale, ka hedhur akuza të forta ndaj Gazment Bardhit dhe grupit të tij. “Me çfarë fytyre thotë Gaz Bardhi që ‘primaret të mos kthehen në anarki për partinë’? Primaret u futën si sistem për të hequr mbetjet si Gazi, që janë në çdo post dhe në parlament pa votën e lirë. Dhe ju foltoristët e ditëve të para, që u ulët në takimin e fundit të Këshillit Kombëtar, të cilën e drejtuan pikërisht ata që po luftonim me foltoret, keni ndopak dinjitet? Harrojeni Sali Berishën. Harrojeni Shqipërinë, sepse për atë as doni t’ia dini. Po pak respekt për veten nuk keni që uleni në një sallë ku seanca drejtohet nga mbetjet si Saljani, Gaz Bardhi dhe Gjekmarkaj?

Këta ju helmuan më 8 Janar. Këta orkestruan shkatërrimin e PD-së dhe të opozitës dhe me siguri, si gjithmonë thoni ‘nga halli’. Në fakt, vetëm nga halli se keni, sepse hallin e krijon njeriu. Mes këtyre që duhet përjashtuar urgjentisht nga PD dhe grupit të Sorosit, duket qartë që Sali Berisha ju trajton si mbetje ‘intelektualësh’ në funksion të projekteve të tij. Dhe me sa kuptoj, ndoshta e meritoni. Nuk jeni ju ata që do bëni ndryshimin, sepse ju jeni problemi. Personalisht, s’do e kisha lejuar veten kurrë të ulur në atë sallë. Do isha ngritur dhe do kisha ikur në mënyrë demonstrative, që mesazhi të merrte një kuptim të qartë për ata në sallë dhe ata të mos dilnin dot nga shtëpia”, nënvizoi Kokalari.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related