Aktivisti Ilir Xhemalaj është shprehur optimist për vazhdimësinë e protestave kundër qeverisë, duke theksuar se pjesëmarrja e të rinjve dhe e profesionistëve i jep lëvizjes qëndrueshmëri.
I ftuar në një studio televizive, Xhemalaj deklaroi se brezi i ri ka vendosur të angazhohet drejtpërdrejt në jetën publike dhe se kjo, sipas tij, përbën një moment të rëndësishëm për vendin.
“Sot të rinjtë janë ngritur nga kafenetë dhe kanë marrë fatin në dorë. Janë të arsimuar, të artikuluar dhe të vetëdijshëm për atë që kërkojnë,” u shpreh ai.
Sipas Xhemalajt, protestës i janë bashkuar edhe profesionistë nga diaspora, përfshirë mjekë, inxhinierë dhe të rinj të arsimuar, gjë që, sipas tij, e bën lëvizjen më të organizuar dhe më të qëndrueshme.
“Duke parë këtë përbërje, besoj se protesta ka qëndrueshmëri dhe se do ta arrijë objektivin e saj, që është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama,” deklaroi Xhemalaj.
Ai shtoi se angazhimi i të rinjve dhe i qytetarëve të ardhur nga diaspora tregon një nivel të ri ndërgjegjësimi qytetar dhe një kërkesë në rritje për ndryshim politik.
