Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur një skemë të strukturuar kriminale ku përfshihen trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe falsifikime masive me pronat në bregdet dhe në kryeqytet, të lidhura me projekte ndërtimi dhe zhvillimi. Hetimet hedhin dritë mbi një bashkëpunim mes grupeve kriminale, biznesit dhe, sipas dosjeve hetimore, edhe politikanëve.
Detajet nga dosja
Ishulli ekzotik i Arubës në Karaibe, me plazhe me rërë të bardhë dhe resorte luksoze, mikpriti në fund të janarit 2019 një grup burrash nga Shqipëria, por interesi i tyre nuk lidhej me turizmin. Nën diellin e Antileve Holandeze, mijëra kilometra larg Tiranës, ata po diskutonin marrëveshje biznesi të ngritura mbi tre shtylla kryesore; logjistikën e trafikut të kokainës në Amerikën Latine, transaksionet me tokat në kryeqytet dhe bregdet si dhe projektet e zhvillimit për kulla dhe resorte turistike. Njeriu kyç i takimit ishte Artur Shehu, një personazh kontrovers me origjinë nga Vlora, që jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në takimin e vëzhguar nga autoritetet e huaja ishin të pranishëm gjithashtu bashkëpunëtorët e tij, Arben Ismailaj, Elton Memeti, Adrian Rama dhe Bujar Shehaj. Sipas hetimeve të kryera së fundmi nga prokurorët Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, të nisura fillimisht për transaksionet e dyshuara të tokave në Zvërnec, ky nuk ishte takimi i vetëm i Shehut me qëllim menaxhimin e interesave të tij të biznesit në Shqipëri.
“Shehu merr pjesë në takime në Spanjë, Monako, Gjermani, Aruba, ndër të tjera, në të cilat është planifikuar blerja, transportimi dhe futja e sasive të mëdha të drogës në Evropë,” thuhet në vendimin e Prokurorisë së Posaçme, ku përmenden edhe takime me “funksionarë të lartë shtetërorë të shtetit shqiptar”. Dosjet hetimore hedhin dritë mbi falsifikime masive me tokat në bregdet dhe pastrimin e parave të trafikut ndërkombëtar të kokainës në kullat që po ndërtohen në Tiranë dhe në projekte të tjera zhvillimi, përfshirë edhe tokat ku pritet të ndërtohet resorti në Zvërnec i reklamuar nga dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner. Gjykata e Posaçme miratoi të premten 20 urdhër-arreste për veprat penale të pastrimit të parave, grupit të strukturuar kriminal si dhe trafikut ndërkombëtar të drogës; përfshirë Artur Shehun, dy biznesmenët e mëdhenj të ndërtimit në Tiranë, Ilir Shtufi dhe Orest Sota si dhe persona të tjerë të lidhur me trafikun e drogës apo transaksionet me tokat. Dosjet hetimore të lidhura me tre procedime të ndryshme penale hedhin dritë mbi një bashkëjetesë simbiotike mes botës së krimit dhe biznesit lidhur me një sërë projektesh të miratuara nga qeveria “Rama” në dekadën e fundit. Në bazë të dokumenteve gjyqësore, historia e perandorisë së fshehtë të pasurive të paluajtshme shtrihet në dy dekada mashtrime, trafik ndërkombëtar droge dhe korrupsioni shtetëror. Pasuritë e sekuestruara kapin vlera marramendëse.
“Samiti” i Arubës
Detajet e takimeve të Artur Shehut në Majorka, Gjermani, Aruba dhe Belgjikë u zbuluan dhe u vëzhguan nga një hetim evropian i vitit 2019 mbi aktivitetet kriminale të “Klanit Osmani”. Dokumentet theksojnë se midis 24 dhe 31 janarit 2019, në ishullin e Arubës u zhvilluan vëzhgime të disa takimeve mes një grupi shqiptarësh të përfshirë në narkotrafik. Qëllimi i këtyre udhëtimeve ishte i dyfishtë, sipas dosjes së prokurorisë. Nga njëra anë, planifikohej logjistika e karteleve, ku në dosjen hetimore të dërguar nga autoritetet spanjolle theksohet se personat e përfshirë planifikonin “blerjen, transportimin dhe futjen e sasive të mëdha të drogës në Evropë”. Nga ana tjetër, Aruba shërbeu si pikënisje për investimet në Shqipëri, që sipas hetuesve belgë të referuar nga SPAK kishin mbështetje politike në Tiranë. Dokumentet belge nënvizojnë se “këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike”.
Për të injektuar këto shuma marramendëse të fituara nga trafiku në ekonominë e ligjshme, grupi ngriti një skemë klasike, por masive, të pastrimit të parave. Faza e parë, ajo e “vendosjes”, realizohej përmes transferimit të parave të drogës me sisteme alternative si rrugët fizike ose sistemi “hawala”. Më pas vinte manipulimi i pronësisë. Një nga mjetet më flagrante ishte përdorimi i dokumenteve historike të falsifikuara. Për tokat në Zvërnec u përdor “Regjistri Daimi i vitit 1318, nr. rendor 47”, një dokument në gjuhën osmane që pretendohej se e bënte një paraardhës të tyre, Seit Ahmet Shehu, pronar të mijëra metrave katrorë pyll dhe kullotë. Proceset gjyqësore vërtetuan më vonë se ky dokument i paraqitur për kthimin e pronave ishte tërësisht i manipuluar dhe i përkthyer qëllimisht gabim. Pasi pronat “fitoheshin”, ato i nënshtroheshin një procesi të gjatë shtresëzimi. Dosja shpjegon se pastrimi bëhej përmes “copëzimeve të shumta të tyre dhe më pas tjetërsimeve të tyre, në format e blerjes, shkëmbimit apo formave të tjera, me qëllim vështirësimin e gjurmimit”. Hapi final ishte dhënia e këtyre trojeve për “subjektet zhvilluese ndërtuese, në marrëveshje ndërmjet tyre, duke integruar dhe përzier në këtë mënyrë të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme”.
Ky modus operandi, sipas Prokurorisë, ka lënë gjurmë në projekte gjigante në bregdet dhe në Tiranë. Hetimet tregojnë se i ashtuquajturi “samiti i Arubës” ka vendosur fatet e dhjetëra projekteve, që janë tashmë pjesë e dukshme apo fytyra e Tiranës dhe bregdetit të Shqipërisë. Në dokumentet e SPAK, takimet, bisedat e koduara dhe transaksionet e pronave lidhen në një skemë të vetme, ku pasuritë e dyshuara si të përfituara përmes falsifikimeve apo parave të trafikut futeshin më pas në ciklin e ndërtimit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, personat nën hetim përdornin “falsifikimin e dokumenteve të përfitimit të pronësisë duke krijuar pronësi të pavërtetë ose duke shtuar sipërfaqet e pronësisë”. Ata kryenin më pas copëzimet e shumta të tyre dhe tjetërsimin, në format e blerjes, shkëmbimit apo dhurimit, me qëllim vështirësimin e gjurmimit. Tokat u jepeshin më pas subjekteve zhvilluese dhe ndërtuese, duke integruar dhe përzierë në këtë mënyrë të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme.
