Klodjan Braho paralajmëron ofensivë të re të SPAK: Në fokus pasuritë e krimit, korrupsioni i nivelit të lartë dhe rrjetet financiare që ushqejnë organizatat kriminale

Data

Kreu i Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, ka paralajmëruar një intensifikim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se viti 2026 do të jetë një periudhë konsolidimi dhe forcimi të mëtejshëm të institucionit.

Gjatë prezantimit të rekomandimeve për luftën kundër kriminalitetit, Braho deklaroi se SPAK po përballet me hetime gjithnjë e më komplekse, të lidhura me korrupsionin e nivelit të lartë, pastrimin e parave, përdorimin e kriptovalutave dhe komunikimet e enkriptuara, fenomene që kërkojnë qasje moderne dhe ekspertizë të specializuar.

Sipas tij, lufta kundër krimit nuk mund të kufizohet vetëm te ndëshkimi i individëve, por duhet të godasë edhe strukturat financiare, rrjetet mbështetëse dhe pasuritë e krijuara nga aktivitetet kriminale.

“Hetimi financiar dhe pasuror do të jetë pjesë thelbësore e punës sonë. Krimi i organizuar duhet identifikuar, analizuar dhe goditur përmes inteligjencës kriminale, analizës financiare, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorimit të mjeteve moderne”, u shpreh Braho.

Ai theksoi se SPAK do të forcojë qasjen proaktive në hetime, duke mos pritur vetëm kallëzimet apo referimet, por duke identifikuar dhe ndjekur vetë aktivitetet kriminale përmes analizës së të dhënave dhe bashkëpunimit me partnerët vendas e ndërkombëtarë.

Braho nënvizoi gjithashtu nevojën për më shumë mbështetje financiare dhe njerëzore për institucionin, duke kërkuar rritje të kapaciteteve me prokurorë të specializuar, hetues profesionistë, analistë financiarë dhe ekspertë të teknologjisë.

Sipas tij, investimi në SPAK dhe institucionet e drejtësisë nuk duhet parë si privilegj institucional, por si një domosdoshmëri për të garantuar luftë më efektive kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Deklaratat e Brahos vijnë në një moment kur SPAK po heton disa nga dosjet më të rëndësishme të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa pritshmëritë publike për rezultate konkrete mbeten të larta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related