Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur sërish mes tensioneve në Lindjen e Mesme dhe zbehjes së shpresave për një marrëveshje mes SHBA dhe Iran për përfundimin e konfliktit në rajon.
Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, është rritur me rreth 4%, duke arritur në afro 105 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga mesi i javës së kaluar.
Gjatë fazës më të tensionuar të krizës, çmimi i naftës kishte prekur deri në 120 dollarë për fuçi, duke rritur shqetësimet për inflacionin dhe ekonominë globale.
Rritja më e fundit erdhi pasi Iran refuzoi një propozim amerikan për t’i dhënë fund konfliktit. Presidenti Donald Trump deklaroi se kundërpropozimi iranian ishte “krejtësisht i papranueshëm”.
Detajet e plota të propozimit nuk janë bërë publike, ndërsa tregjet po reagojnë ndaj frikës për përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve dhe rrezik për furnizimin global me energji.
Ekspertët paralajmërojnë se mbajtja e çmimit të naftës mbi 100 dollarë për fuçi mund të sjellë rritje të çmimeve të energjisë, transportit dhe produkteve bazë në shumë vende të botës.
