Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur në Durrës, ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20 në lagjen nr. 15, ku një automjet i drejtuar nga një 57-vjeçar ka përplasur tre fëmijë rreth moshës 10 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, dy prej të miturve kanë ndërruar jetë në vend, ndërsa fëmija i tretë ndodhet në gjendje të rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar dhe ndaluar nga policia, ndërsa grupi hetimor po vijon punën në vendngjarje për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur sërish shqetësimin për sigurinë rrugore, veçanërisht në zonat e banuara ku lëvizja e mjeteve duhet të jetë e kontrolluar dhe e kujdesshme.
