Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin kryesor të Elbasan për të festuar Dita e Verës, një nga festat më të dashura tradicionale në Shqipëri.
Atmosfera festive është mbushur me ngjyra dhe muzikë, ndërsa fëmijë të shumtë të shkollave të qytetit kanë parakaluar në Karnavalet tradicionale, të veshur me kostume shumëngjyrëshe dhe veshje popullore shqiptare. Vogëlushët kanë mbajtur në duar shporta dhe lule dekorative, duke sjellë gëzim dhe hare në mes të turmës së madhe të qytetarëve.
Në sheshin e qytetit janë vendosur pankarta, dekorime me lule prej letre dhe skena festive, ndërsa muzika ka shoqëruar paradën e fëmijëve dhe aktivitetet e planifikuara gjatë ditës.
Qytetarë nga zona të ndryshme të vendit kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Elbasanit për të marrë pjesë në festë, duke shijuar atmosferën tradicionale dhe ëmbëlsirën simbol të kësaj dite, ballokumen.
Sipas organizatorëve, gjatë ditës janë planifikuar disa aktivitete, mes tyre parada e karnavaleve të shkollave, koncerti i fëmijëve dhe një koncert festiv me këngëtarë në skenën kryesore të qytetit.
Ndërkohë, shumë familje kanë zgjedhur të kalojnë ditën në natyrë, me zona si Krasta, Krraba dhe Gjinar që mbeten destinacionet më të preferuara për piknik në këtë ditë festive.
