Rritja e çmimeve të karburanteve, Spaho: Ka dyshime për abuzim nga kompanitë

Data

Rritja e menjëhershme e çmimeve të karburanteve në pikat e tregtimit në vend ka ngritur shqetësime për abuzime të mundshme nga kompanitë e hidrokarbureve.

Drejtori i Institutit Liberal “Pashko”, Mateo Spaho, i ftuar në një emision televiziv, u shpreh se këto rritje janë të pajustifikuara duke marrë parasysh kuadrin ligjor në fuqi.

Sipas tij, ligji parashikon që kompanitë e karburanteve duhet të mbajnë rezerva deri në tre muaj në raport me konsumin e vendit, çka do të thotë se kriza duhet të zgjasë për një periudhë të gjatë përpara se të reflektohet në çmimet e tregut.

“Ne kemi teorikisht një ligj që thotë që kompanitë duhet të kenë një rezervë deri në tre muaj në raport me konsumin që vendi ka. Kjo do të thotë që kriza duhet të zgjasë tre muaj që të fillojmë të ndjejmë pasojat”, u shpreh Spaho.

Ai solli në vëmendje edhe situatën gjatë viteve 2022–2023, kur me nisjen e luftës në Ukrainë çmimet e karburanteve u rritën menjëherë.

Sipas Spahos, një rritje e tillë e menjëhershme është një tregues i drejtpërdrejtë i abuzimit në treg.

“Abuzimi ndodh në momentin kur institucionet shtetërore nuk bëjnë mirë punën e tyre. Dikush gjen shesh për të bërë përshesh”, tha ai.

Spaho theksoi gjithashtu se, sipas informacioneve që disponon, nëse kriza ndërkombëtare zgjat më shumë se dy javë, atëherë mund të jetë e nevojshme një rishikim i çmimeve të karburanteve në Shqipëri.

Megjithatë, ai shtoi se rritja e menjëhershme e çmimeve që po ndodh aktualisht nuk është e justifikuar dhe mund të konsiderohet rast abuzimi në treg.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related