‘Qeveria përzë tregtarët, Spiropali show në Vlorë’, aktivistja: Ky është genocid, shpopullim që i bëhet vendit

Data

Aktivistja dhe shkrimtarja Lela Qejvani, e njohur si një nga zërat kryesorë të protestës së tregtarëve në Vlorë, ka deklaruar se ajo që po ndodh në qytetin bregdetar përbën një shkatërrim të plotë ekonomik dhe social, duke e cilësuar largimin masiv të shqiptarëve jo si emigrim, por si “genocid dhe shpopullim”.

E ftuar në një emision televiziv, Qejvani sqaroi se angazhimi i saj nuk lidhet me interes personal apo tregtar, por me aktivizmin qytetar që ajo ka ndjekur prej vitesh në mbrojtje të kauzave civile dhe mjedisore. Pas kthimit nga emigracioni, ajo është përfshirë në disa shoqata dhe nisma për mbrojtjen e mjedisit, përfshirë protestat për lumin Vjosa dhe Shushicën.

Duke folur për protestën e tregtarëve të tregut industrial në Vlorë, Qejvani u shpreh se nuk priste të përballej me ministren Elisa Spiropali, por me kryeministrin Edi Rama. Sipas saj, shembja e tregut ishte “pika kulminante” e një keqqeverisjeje të gjatë që ka shkatërruar ekonominë lokale dhe ka cenuar rëndë sigurinë dhe jetesën e qytetarëve.

Ajo theksoi se tregtarët e prekur nuk janë subjekte të përkohshme, por njerëz që punojnë aty prej 30–35 vitesh për të siguruar bukën e gojës. Qejvani u shpreh se nuk është kundër ndërtimit të një tregu modern, por kundërshton mënyrën se si po veprohet, pa njoftim, pa dialog dhe pa ofruar alternativa reale për qindra familje.

Sipas saj, vendndodhja e re e propozuar për tregun është e papërshtatshme, tepër larg qytetit dhe e paarritshme për shumë qytetarë, veçanërisht për të moshuarit dhe ata që nuk kanë mjete transporti. Ajo shtoi se tregtarët kanë depot, mallrat dhe gjithë aktivitetin e tyre të lidhur me tregun aktual, gjë që e bën zhvendosjen edhe më të vështirë.

Qejvani kritikoi ashpër mungesën e komunikimit dhe respektit për qytetarët, duke theksuar se në një shtet normal askush nuk përzë njerëzit nga vendi i punës pa paralajmërim dhe pa kushte dinjitoze zëvendësuese. Sipas saj, e drejta e fjalës është prerë dhe qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrja.

Ajo solli në vëmendje edhe protestat për mbrojtjen e Shushicës, duke deklaruar se uji i një krahine të tërë po devijohet për interesa private, ndërsa fshatra të tëra rrezikojnë të thahen. Kjo, sipas saj, është një padrejtësi historike ndaj zonave që kanë dhënë kontribut në historinë e vendit.

Në fund, aktivistja deklaroi se emigrimi masiv i shqiptarëve nuk është një zgjedhje e lirë, por pasojë e një politike që po boshatis vendin. “Ky nuk është emigrim,” u shpreh ajo, “ky është genocid, është shpopullim që i bëhet vendit.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related