Gjykata Administrative ka kthyer për plotësim padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e depozituar kundër institucionit të Presidentit të Republikës dhe prokurorit të posaçëm, Ols Dado.
Sipas burimeve nga gjykata, arsyeja e kthimit të padisë lidhet me probleme formale në dokumentacion. Në padi figurojnë si paditës Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë, por kjo e fundit rezulton pa vulë zyrtare dhe pa numër protokolli, duke e bërë të paplotë legjitimimin e palëve në proces.
Për këtë arsye, Gjykata Administrative ka vendosur kthimin e padisë për plotësim, duke kërkuar rregullimin e mangësive procedurale përpara vijimit të shqyrtimit të çështjes.
Padia u depozitua nga Veliaj më 23 janar, ku ai kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror. Sipas pretendimeve të kryebashkiakut, emërimi i Dados në vitin 2008 është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi ai nuk ka kryer Shkollën e Magjistraturës, një kriter i detyrueshëm ligjor për ushtrimin e funksionit të prokurorit në atë periudhë.
Veliaj pretendon se Ols Dado ka kaluar drejtpërdrejt nga statusi i noterit në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, çka sipas tij e bën të paligjshëm dekretin e emërimit.
Pas plotësimit të dokumentacionit, pritet që Gjykata Administrative të vendosë nëse do të vijojë shqyrtimin e çështjes në themel.
