Një stuhi e fuqishme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar pasoja të rënda në disa shtete. Të paktën 85 persona kanë humbur jetën, ndërsa temperaturat kanë zbritur në nivele ekstreme, deri në -40 gradë Celsius.
Sipas të dhënave paraprake, gjysma e viktimave janë regjistruar në Tenesi, Misisipi dhe Luiziana. Autoritetet bëjnë me dije se shkaqet kryesore të humbjes së jetës lidhen me hipoterminë dhe helmimin nga monoksidi i karbonit, si pasojë e përdorimit të pajisjeve alternative të ngrohjes në banesa që mbetën pa energji elektrike.
Stuhia ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje masive të energjisë, duke lënë mbi 230 mijë banesa dhe biznese pa rrymë në mbarë vendin. Në shumë zona, ndërprerjet kanë vijuar edhe pasi kushtet atmosferike janë përmirësuar.
Autoritetet federale dhe lokale kanë shpallur gjendje emergjence në disa shtete dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, të përdorin me kujdes mjetet e ngrohjes dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të emergjencës.
