Një vendim i papritur i Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka futur në kolaps total qytetin e Vlorës. Me një urdhër administrativ që hyn në fuqi më 1 shkurt 2026, mbyllen strukturat vendore të Kadastrës dhe të gjitha shërbimet e pronësisë zhvendosen në Tiranë.
Vendimi, i justifikuar zyrtarisht me “përmirësimin e organizimit të punës”, për qytetarët dhe profesionistët përkthehet në kosto më të larta, humbje kohe dhe bllokim real të shërbimeve. Çdo dokument prone, çdo procedurë ligjore apo administrative, do të kërkojë tashmë udhëtime të detyruara drejt kryeqytetit.
Punonjësit në alarm
Rreth 55 punonjës të Kadastrës së Vlorës preken drejtpërdrejt nga ky vendim, pasi u kërkohet të zhvendosen në Tiranë, ndonëse kontratat e tyre të punës parashikojnë refuzimin e transferimit mbi 45 kilometra nga vendi aktual i punës. Distanca Vlorë–Tiranë është rreth 155 kilometra.
Në një peticion drejtuar drejtuesve të lartë të shtetit, punonjësit e cilësojnë vendimin të pakonsultuar, të padrejtë dhe në kundërshtim flagrant me kontratat e punës dhe parimin e shërbimit pranë qytetarit. Ata paralajmërojnë pasoja të rënda familjare dhe ekonomike, duke kërkuar shfuqizimin e menjëhershëm të urdhrit.
Opozita: Vendim antikushtetues
Opozita e ka cilësuar mbylljen e Kadastrës në Vlorë si një akt arbitrar, të paligjshëm dhe thellësisht antikushtetues. Sipas saj, ky vendim cenon parimin e decentralizimit, largon shërbimet nga qytetarët dhe krijon terren për korrupsion, vonesa dhe pengesa artificiale në procedurat e pronësisë.
Deputetë të opozitës theksojnë se shërbimet publike nuk janë pronë e qeverisë, por detyrim kushtetues ndaj qytetarëve, ndërsa paralajmërojnë ndjekje ligjore për autorët e këtij vendimi.
Avokatët: Goditje ndaj drejtësisë
Edhe Dhoma e Avokatisë në Vlorë ka reaguar ashpër, duke e cilësuar zhvendosjen e Kadastrës si një goditje direkte ndaj profesionit të avokatit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë. Sipas tyre, ky është vazhdim i një politike sistematike të zbrazjes institucionale të qytetit, pas largimit të Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit.
Avokatët paralajmërojnë se Vlora po shndërrohet në një “periferi institucionale”, duke humbur peshën juridike dhe administrative që i takon një qyteti me rëndësi historike dhe kombëtare.
Një precedent i rrezikshëm
Vendimi për shkrirjen e Kadastrës së Vlorës vjen paradoksalisht më pak se një vit pasi institucioni ishte zhvendosur në një godinë të re në qytet. Sot, pa asnjë analizë të qartë dhe pa konsultim publik, Vlora humbet një nga shërbimet më jetike për qytetarët dhe bizneset.
Reagimet po shtohen, ndërsa në qytet po rritet zemërimi. Mesazhi është i qartë: Vlora nuk pranon të trajtohet si qytet i dorës së dytë dhe nuk do të heshtë përballë një vendimi që rrezikon të paralizojë shërbimet e pronësisë dhe aksesin në drejtësi.
