Në një dekadë, administrata publike shqiptare është zgjeruar në përmasa rekord, ndërsa shpenzimet për paga dhe digjitalizim kanë arritur nivele historike. Megjithatë, pavarësisht rritjes së numrit të punonjësve dhe qindra milionë eurove të investuara në e-qeverisje, qytetarët dhe bizneset po përballen gjithnjë e më shpesh me bllokime dhe mosfunksionim të shërbimeve publike.
Nga viti 2014 deri në 2025, numri i të punësuarve në administratën publike është rritur nga rreth 163 mijë në afro 184 mijë persona, ndërsa shpenzimet për paga dhe kontribute janë rritur nga 71.4 miliardë lekë në rreth 129 miliardë lekë. Vetëm nga 2024 në 2025, administrata është zgjeruar me mbi 12% dhe kostot për personelin janë rritur ndjeshëm.
Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme shumë të shpejta. Në katër vitet e fundit, fondet për e-qeverisjen kanë arritur rreth 48.4 miliardë lekë, ose afërsisht 500 milionë euro. Vetëm në vitin 2025, financimi për këtë sektor u trefishua, duke kapur mbi 200 milionë euro.
Megjithatë, realiteti në terren është krejt ndryshe nga shifrat optimiste. Platforma kryesore e shërbimeve publike online ka pësuar ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi. Bizneset raportojnë se nuk arrijnë të fiskalizojnë faturat, të verifikojnë dokumentet apo të kryejnë procedurat bazë, duke u detyruar të ndalojnë aktivitetin ekonomik për orë apo ditë të tëra.
Ekonomistë dhe përfaqësues biznesesh shprehen se mungon çdo mekanizëm përgjegjësie dhe komunikimi, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi për humbjet financiare dhe vonesat e shkaktuara nga mosfunksionimi i sistemeve. Sipas tyre, digjitalizimi është shndërruar në një barrë, jo në lehtësim.
Ekspertët e teknologjisë theksojnë se rritja e investimeve nuk është shoqëruar me përforcim të kapaciteteve teknike, mirëmbajtje të qëndrueshme dhe testime serioze të sistemeve nën ngarkesë të lartë. Shumë projekte janë ndërtuar pa integrim të plotë dhe pa vizion afatgjatë.
Në vitin 2025, administrata publike dhe e-qeverisja kanë përthithur rreth 1.5 miliardë euro, ose afro 18% të gjithë shpenzimeve buxhetore. Megjithatë, hendeku mes shumës së investuar dhe cilësisë së shërbimeve mbetet i thellë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e shpenzimit të fondeve publike dhe funksionimin real të shtetit digjital.
