FUND “PESHKIMIT” NË CELULARË – Kushtetuesja i vë kufij të fortë SPAK-ut, privatësia merr përparësi

Data

Celularët nuk janë më “minierë ari” për SPAK. Gjykata Kushtetuese ka vendosur një standard të ri dhe detyrues që i jep fund praktikës së sekuestrimit dhe analizimit të pakufizuar të telefonave, duke forcuar ndjeshëm mbrojtjen e jetës private dhe të dhënave personale.

Vendimi lidhet me çështjen e Onejda Ymerajt, e cila nuk ishte nën hetim penal, por iu sekuestrua telefoni dhe iu ekstraktua e gjithë përmbajtja, përfshirë komunikime dhe informacione personale pa lidhje me procedimin penal. Kushtetuesja e cilëson këtë praktikë joproporcionale dhe antikushtetuese.

Çfarë ndryshon konkretisht?

Gjykata ka vendosur disa kufij të qartë që nga sot janë detyrim për SPAK-un dhe çdo organ tjetër hetimor:

1. Ndalet sekuestrimi total i të dhënave

Prokuroria nuk mund të kopjojë dhe analizojë të gjithë përmbajtjen e një telefoni “për çdo rast”. Ndërhyrja lejohet vetëm për të dhëna që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e hetimit dhe vetëm me arsyetim të posaçëm.

2. Të dhënat pa lidhje me hetimin duhet të asgjësohen

Gjykata urdhëron fshirjen e menjëhershme të çdo materiali privat që nuk lidhet me hetimin penal. Mbajtja e tyre konsiderohet shkelje e vazhdueshme e të drejtave kushtetuese.

3. Kontrolli gjyqësor bëhet i detyrueshëm

SPAK nuk mund të vendosë vetë çfarë mban dhe sa mban. Çdo ruajtje e të dhënave duhet të kalojë në kontroll real gjyqësor, me kufij të qartë në kohë dhe përmbajtje.

4. Edhe telefoni si objekt kërkon garanci

Mbajtja e vetë pajisjes në sekuestro përbën ndërhyrje në jetën private dhe nuk mund të zgjasë pa garanci procedurale, sidomos kur personi nuk është i dyshuar.

5. Afat 3-mujor për zbatim

SPAK ka 3 muaj kohë për të filtruar të dhënat, për të asgjësuar ato pa lidhje me hetimin dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çdo të dhënë që pretendon se duhet të mbahet.

Mesazhi i qartë i Kushtetueses

Hetimi penal nuk justifikon shkeljen e pakufizuar të privatësisë. Interesi publik dhe e drejta për hetim duhet të balancohen me respektimin e jetës private, fshehtësisë së korrespondencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë fund praktikës së “peshkimit” masiv në celularë dhe ka vendosur një vijë të kuqe: provat merren vetëm brenda ligjit, përndryshe janë të pavlefshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related