Asetet e ngrira të Rusisë kapin vlerën e 300 miliardë eurove: Kush i kontrollon, ku ndodhen dhe si mund të përdoren për Ukrainën

Data

Rreth 300 miliardë euro asete ruse janë aktualisht të ngrira në Perëndim si pasojë e sanksioneve të vendosura pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Sot, shumica e vendeve të Bashkimit Europian bien dakord se këto fonde duhet të përdoren për të ndihmuar Ukrainën, por çështja mbetet komplekse nga pikëpamja ligjore dhe politike.

Çfarë janë asetet e ngrira?

Asetet e ngrira janë fonde financiare apo prona, të cilave pronari nuk mund t’u qaset apo t’i përdorë për transaksione. Ngrirja bëhet përmes sanksioneve shtetërore ose ndërkombëtare dhe zbatohet nga bankat, institucionet financiare apo depozitat qendrore të letrave me vlerë.

Në rastin e Rusisë, bëhet fjalë si për:

  • Asete shtetërore (para cash, obligacione, letra me vlerë)
  • Asete private, si jahte luksoze, pasuri të paluajtshme dhe llogari bankare të oligarkëve rusë të sanksionuar

Pse u ngrinë asetet ruse?

Asetet u ngrinë për të:

  • Kufizuar aftësinë financiare të Rusisë për të financuar luftën
  • Rritur presionin politik ndaj Moskës
  • Krijuar një levë negociuese për bisedime të ardhshme paqeje

Sipas ekspertëve, fakti që shumica e aseteve ndodhen në Europë i jep BE-së një rol kyç në vendimmarrje.

Ku ndodhen asetet?

Nga totali prej rreth 300 miliardë eurosh:

  • 210 miliardë euro ndodhen në juridiksionin e BE-së
  • Pjesa tjetër është e shpërndarë në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Japoni, Zvicër dhe Kanada

Rreth 180 miliardë euro ndodhen në Belgjikë, në institucionin financiar Euroclear.

Çfarë është Euroclear dhe pse kundërshton sekuestrimin?

Euroclear është një nga depozitat më të mëdha të letrave me vlerë në botë. Ajo shpreh shqetësime serioze se:

  • Sekuestrimi i drejtpërdrejtë i aseteve ruse mund të dëmtojë reputacionin e saj
  • Mund të përballet me padi gjyqësore nga Rusia

Banka Qendrore e Rusisë ka paditur tashmë Euroclear për rreth 200 miliardë euro, duke kërkuar kthimin e fondeve dhe interesave të humbura.

Kush kërkon përdorimin e aseteve dhe për çfarë?

Shumica e vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, mbështesin idenë që:

  • Fitimet nga asetet e ngrira
  • Ose vetë asetet, në një fazë të mëvonshme

të përdoren për:

  • Mbështetje ushtarake të Ukrainës
  • Rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar
  • Kompensimin e dëmeve të luftës

Cilat vende hezitojnë dhe pse?

Belgjika, ku ndodhet Euroclear, kundërshton sekuestrimin e plotë për shkak të rreziqeve ligjore.

Gjithashtu Italia, Malta dhe Bullgaria kërkojnë alternativa të tjera financimi, nga frika e precedentëve të rrezikshëm ligjorë.

Çfarë po ndodh aktualisht me asetet?

Asetet mbeten të ngrira, por BE-ja ka vendosur të përdorë fitimet që ato gjenerojnë.

Në vitin 2024, BE-ja i transferoi Ukrainës 1.5 miliardë euro nga këto fitime.

Qëndrimi i SHBA-së dhe roli i Trump

Nën administratën Biden, SHBA mbështeti përdorimin e fitimeve, jo të kapitalit kryesor.

Administrata aktuale Trump ka shprehur interes për:

  • Përdorimin e një pjese të aseteve për projekte të përbashkëta SHBA–Rusi
  • Investime ku SHBA do të përfitonte drejtpërdrejt

Megjithatë, SHBA kontrollon vetëm asetet që ndodhen në territorin e saj, më pak se 5 miliardë euro.

Plani i Trump për paqen

Sipas një drafti të planit paqësor të Trump:

  • 86 miliardë euro do të investoheshin për rindërtimin e Ukrainës, me SHBA që do të merrte 50% të fitimeve
  • Mbi 200 miliardë euro do të futeshin në një fond të përbashkët investimi SHBA–Rusi

Ekspertët paralajmërojnë se ky plan do të përfitonte më shumë Uashingtonin dhe Moskën sesa vetë Ukrainën.

Problemet e brendshme të BE-së

Fillimisht, sanksionet rinovoheshin çdo 6 muaj, duke rrezikuar veton e Hungarisë.

BE-ja vendosi t’i ngrijë asetet për një kohë të pacaktuar, duke:

  • Anashkaluar veton e mundshme të Budapestit
  • Penguar transferimin e fondeve jashtë kontrollit europian
  • Hapësirë për përdorimin e tyre si garanci kredie për Ukrainën

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related