Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka paralajmëruar protesta qytetare përpara Kuvendit të Shqipërisë ditën e premte, në orën 10:30, në të njëjtën kohë kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe autorizimin e arrestimit të saj.
Në një deklaratë publike, Shehaj akuzon mazhorancën se po përgatitet të përdorë institucionet për të “shpëtuar” Ballukun nga drejtësia, pavarësisht kërkesës zyrtare të Prokurorisë së Posaçme dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme.
“Aty do të organizojmë protestën dhe do të kërkojmë që të dorëzojnë Belinda Ballukun. Ajo duhet të arrestohet ashtu siç kërkon SPAK dhe siç ka vendosur Gjykata. Mjaft e mbrojtët”, deklaroi Shehaj.
Sipas tij, mbledhja e Këshillit të Mandateve rrezikon të kthehet në një akt politik mbrojtjeje për një zyrtare të lartë të qeverisë, duke minuar besimin e qytetarëve te drejtësia dhe barazia para ligjit.
Shehaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë, duke theksuar se presioni publik është i domosdoshëm në momente të tilla.
“Në çdo postim marr qindra mesazhe ku më thoni: ‘Duhet të organizojmë protesta’. Të premten është momenti. Nëse Kuvendi tenton të mbrojë Ballukun, qytetarët duhet të jenë aty për të kërkuar drejtësi”, u shpreh ai.
Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut vjen në kuadër të hetimeve për procedura të dyshuara korruptive në tendera të mëdhenj publikë, ndërsa çështja ka shkaktuar tension të fortë politik dhe reagime të shumta në opinionin publik.
Protesta e paralajmëruar pritet të jetë një test i rëndësishëm për reagimin qytetar dhe për mënyrën se si Kuvendi do të veprojë përballë një kërkese të drejtpërdrejtë të drejtësisë së re.
