Hetimet e Prokurorisë Evropiane mbi dyshimet për mashtrim në tendera, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional kanë vënë në qendër të vëmendjes dy prej figurave më të njohura të diplomacisë europiane: Federica Mogherinin dhe Stefano Sanninon. Të dy, së bashku me Cesare Zegrettin, janë marrë në pyetje për orë të tëra, teksa çështja po krijon tronditje brenda institucioneve të BE-së.
Sipas agjencisë italiane Ansa, pavarësisht dyshimeve të rënda, tre të hetuarit janë lënë të lirë pa masa sigurie, pasi hetuesit vlerësuan se nuk ekziston rrezik arratisjeje dhe se parimi i prezumimit të pafajësisë duhet të respektohet plotësisht.
Një sinjalizim i brendshëm?
Burime pranë hetimit thonë se çështja ka nisur nga një kallëzim i brendshëm në institucionet e BE-së, sipas të gjitha gjasave nga një punonjës i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), ku Mogherini dhe Sannino kanë punuar për vite me radhë. Heqja e mbulesës së mundshme mbi procedura të dyshimta ka rikthyer vëmendjen tek lidhja midis Brukselit, Bruges dhe Kolegjit të Europës — institucion që trajnon diplomatët e ardhshëm të BE-së.
Në qendër të dyshimeve ndodhet blerja e një ndërtesë në Spanjaardstraat nga Kolegji i Europës, vetëm pak para hapjes së një tenderi, një përkim kohor që hetuesve u ka ngjallur dyshime për ndikim të padrejtë në proces.
Dëshmia e Mogherinit: “Kam sqaruar gjithçka”
Pas marrjes në pyetje, Federica Mogherini doli me një deklaratë të prerë:
“Pozicionin tim e kam sqaruar plotësisht para hetuesve të Prokurorisë Evropiane. Akademia ka zbatuar dhe do të zbatojë standardet më të larta të integritetit.”
Ajo shprehu besim në drejtësinë europiane dhe theksoi se pret të provohet korrektësia e veprimeve të institucionit që ajo drejton.
Sannino jep dorëheqjen nga Komisioni Europian
Ndryshe nga Mogherini, Stefano Sannino vendosi të largohet nga posti i tij në Komisionin Europian. Duke udhëhequr politikat e BE-së për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin Persik që nga fillimi i vitit, Sannino është përballur njëkohësisht edhe me një hetim administrativ nga OLAF për dyshime në emërime brenda EEAS.
Në letrën e dorëheqjes, Sannino ka garantuar “bashkëpunim të plotë me autoritetet”, ndërsa ka pranuar se situata e tensionuar e bënte të pamundur ushtrimin normal të detyrës.
Reagimi i Kaja Kallas ndez tensionet
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, shkaktoi valë reagimesh me një email të brendshëm ku i quajti akuzat “tronditëse” dhe kërkoi “më shumë integritet dhe përgjegjësi”. Komenti u interpretua gjerësisht si një distancim i fortë nga Mogherini dhe Sannino, duke treguar ndarje të brendshme në trupën diplomatike.
Në Berlin, qeveria gjermane doli në mbështetje të presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, duke theksuar se “besimi tek Von der Leyen nuk vihet në dyshim”.
Moskë: “Korrupsioni ekziston kudo”
Nga ana tjetër, qëndrimi i Rusisë është zbutur. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi çështjen “problem të brendshëm të BE-së” dhe shtoi se “korrupsioni ekziston kudo” — një deklaratë që shumë analistë e shohin si tentativë për të shfrytëzuar situatën për avantazh politik.
Një çështje që prek zemrën e institucioneve europiane
Hetimet janë ende në fazë të hershme dhe asnjë akuzë zyrtare nuk është ngritur. Por rasti ka potencial për të zgjeruar krisjet brenda një prej strukturave më delikate të Bashkimit Europian — diplomacisë së tij.
Në kohën kur BE po përballet me sfida të mëdha gjeopolitike, nga agresioni rus në Ukrainë te krizat në Lindjen e Mesme, tensionet e brendshme dhe akuzat për korrupsion rrezikojnë të cenojnë besueshmërinë e institucioneve.
