Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, bëri të ditur të hënën se ka marrë një ftesë zyrtare nga presidenti amerikan Donald Trump për të zhvilluar një takim të ri në Shtëpinë e Bardhë në ditët në vijim. Lajmi u komunikua pas një telefonate mes dy liderëve, e cila konfirmoi vijimin e bashkëpunimit të ngushtë strategjik mes SHBA-së dhe Izraelit.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit izraelit, gjatë bisedës telefonike Trump e ftoi Netanyahun të vizitonte Uashingtonin “në një të ardhme të afërt”, duke nënvizuar se dy vendet duhet të koordinojnë qëndrimet për zhvillimet në Lindjen e Mesme. Kjo do të jetë vizita e pestë e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që prej fillimit të vitit, në një nga periudhat me kontaktet më intensive mes dy administratave.
Takimi i ardhshëm pritet të ketë si pikë qendrore situatën në Rripin e Gazës dhe përpjekjet për çarmatimin e Hamasit. Gjatë bisedës, Trump dhe Netanyahu kanë nënvizuar rëndësinë e demilitarizimit të plotë të territorit, duke e cilësuar këtë si parakusht për çdo proces të ardhshëm politik apo stabilizues në rajon.
Po ashtu, dy liderët kanë diskutuar për mundësinë e zgjerimit të marrëveshjeve të paqes të nënshkruara nga Izraeli me disa vende arabe gjatë viteve të fundit. Sipas deklaratës zyrtare, ata ranë dakord se duhet intensifikuar puna diplomatike për të krijuar marrëdhënie të reja zyrtare midis Izraelit dhe vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin hebre.
Njoftimi për ftesën erdhi vetëm pak çaste pasi presidenti Trump publikoi në rrjetet sociale një reagim lidhur me dialogun mes Izraelit dhe Sirisë, duke e konsideruar “të domosdoshme” ruajtjen e qetësisë në rajon gjatë procesit të tranzicionit politik në Damask.
Megjithëse nuk është caktuar ende një datë për vizitën, burime diplomatike sugjerojnë se udhëtimi i Netanyahut në Uashington do të zhvillohet brenda javëve të ardhshme, në varësi të axhendës ndërkombëtare dhe zhvillimeve në terren.
Takimi pritet të ketë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e hapave të ardhshëm të Izraelit në Gaza, si dhe në krijimin e një strategjie të përbashkët SHBA–Izrael për sigurinë rajonale dhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
