Në vendet e Bashkimit Europian, përgjegjësia politike shpesh funksionon si një refleks instinktiv: sapo zbulohet një shkelje apo dyshim i rëndësishëm, zyrtarët e lartë largohen nga posti për të mos cenuar institucionin që përfaqësojnë. Në Shqipëri, panorama është krejt e kundërt. Raste që në Europë do të sillnin dorëheqje të menjëhershme, këtu shndërrohen në betejë politike dhe mbrojtje të hapur nga pushteti.
Dorëheqje të menjëhershme në Rumani dhe Ukrainë
Vetëm në 24 orët e fundit, dy raste të profilit të lartë në Europë treguan standarde të qarta llogaridhënieje.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu
Mosteanu dha dorëheqjen sapo u zbulua se CV-ja e tij përmbante të dhëna të rreme mbi studimet universitare. Pa pritur hetime, pa pritur vendime gjykatash, ai deklaroi se “gabimet personale nuk duhet të dëmtojnë punën jetike për mbrojtjen e vendit nga kërcënimi rus”. Për një shkelje që në Shqipëri do të relativizohej publikisht, Rumani u aplikua standardi europian i peshës morale të ushtrimit të funksionit publik.
Shefi i kabinetit të Presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak
Edhe pse Ukraina është një vend në luftë, shefi i kabinetit të Zelensky dha dorëheqjen menjëherë pasi policia bastisi shtëpinë e tij dhe nisi një hetim për korrupsion. Ai nuk kishte ende akuzë zyrtare — por vetëm dyshimi i rëndë mjaftoi që posti më i afërt i Presidentit të lihej bosh për të ruajtur integritetin institucional.
Shqipëria: standard tjetër, realitet tjetër
Në Shqipëri, numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, është marrë e pandehur nga SPAK për dy tendera me vlerë 210 milionë euro, për tunelin e Llogarasë dhe një lot të Unazës së Madhe. Gjykata e Posaçme ka vendosur:
- pezullimin nga detyra,
- ndalimin e daljes jashtë vendit.
Sipas çdo modeli europian, këto masa do të mjaftonin për dorëheqje të menjëhershme.
Por ndryshe nga shembujt e Rumanisë dhe Ukrainës, Balluku jo vetëm që nuk dorëhiqet, por merr mbështetje të plotë politike nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar ta ç’bllokojë pezullimin e ministres.
Edhe pas një muaji, nuk ka një komunikim publik nga Balluku për akuzat, as transparencë, as ndonjë akt moral të heqjes dorë nga posti deri në sqarimin e çështjes.
Çfarë tregon ky kontrast?
Shembujt e ditëve të fundit tregojnë një Europë ku funksioni publik është më i rëndësishëm se individi, dhe një Shqipëri ku individi mbrohet përpara institucioneve.
Në BE dhe madje edhe në një vend në luftë si Ukraina, dorëheqja shihet si akt i nevojshëm për të ruajtur besimin.
Në Shqipëri, dorëheqja shihet si dobësi politike.
Kjo dilemë ngre pyetjen kryesore:
Si mund të përparojë Shqipëria në procesin e integrimit europian kur standardet e brendshme janë kaq larg atyre europiane?
Edhe deklaratat e fundit të Kryeministrit Rama — që Shqipëria është e gatshme të heqë dorë edhe nga komisioneri europian apo e drejta e vetos — e nënkuptojnë se anëtarësimi nuk mund të fitohet dot në bazë të meritës, reformave dhe standardeve aktuale. Rasti Balluku duket se e konfirmon këtë hendek.
