Rebelimi brenda PD-së shpërthen: Takimi i Salianjit me më të votuarit sfidon kontrollin e Berishës

Data

Sali Berishës duket se po i del situata nga dora. Edhe pse për muaj të tërë ka tentuar të shuajë zërat kritikë, duket se “pilafi nuk mban më ujë”. Ai që ka “derdhur gotën” ka qenë Flamur Noka, i cili me sjelljen arrogante këtë të enjte ndaj një zonje në degën e Kamzës, ka bërë që të shpërthejnë rebelimet në PD. Por goditja më e fuqishme ka ardhur dje nga Ervin Salianji, i cili ka mbledhur në një takim më të votuarit e primareve dhe ka sinjalizuar se gjërat po lëvizin nga brenda.

Sipas informacioneve në takimin që ka zgjatur afro 3 orë në një prej hoteleve të Tiranës kanë marrë pjesë përveç Salianjit edhe Ilir Alimehmeti me Hysen Kadiun, i pari që rezultoi ndër emrat më të votuar të listës së hapur të PD-së në Qarkun e Tiranës, ndërsa tjetri emri më i votuar në primare, por që nuk kandidoi për deputet. Gjithashtu në takim ishin Gentian Çela, Qani Xhafa, Aulon Kalaja, Ted Kopliku, Alma Kore, Parid Mahmutaj, Xhemal Gjunkshi etj. Në këtë takim është folur për mënyrën se si duhet të përmirësohet PD dhe për mundësinë e thirrjes së Këshillit Kombëtar për të diskutuar se si duhet të vijojë aksioni politik. Po ashtu, bëhet me dije se ky takim nuk do të jetë i fundit, por të ngjashëm do të jenë periodikë edhe me më shumë emra në tryezë.

Reagon Alimehmeti

Ndërkohë mbi këtë takim ka folur edhe Ilir Alimehmeti, mjeku dhe kandidati i PD-së më i votuar në Tiranë. “Ishim mes demokratësh në një bashkëbisedim dhe në çdo qark ishte njeriu më i votuar nga qarku përkatës. Njerëzit kanë folur, demokracia kjo është të shkosh të flasësh me njerëzit dhe në radhë të parë të flasësh me ata. Duhej reagim i fortë pasi qeveria është e kapur me skandale, dhe si mund ta bëjmë ne protestën më të fortë, më të qëndrueshme”, u shpreh dje Alimehmeti në emisionin Top Story. “A beson se me gjithë këto skandale, me një opozitë të fortë do të rrëzohej menjëherë qeveria?” pyeti moderatorja Grida Duma. “Absolutisht po. Ky është edhe një qëndrim zyrtar, PD duhet të forcohet dhe të kuptojë ku ka gabime. Për t’u shmangur edhe nga modelet që nuk kanë funksionuar. Demokratët na thonë vetë, na keni lënë, nuk janë kontaktuar. Demokracia për këtë ka nevojë. Jemi zëri i tyre”, u shpreh Alimehmeti.

Reagon Salianji

Nga ana tjetër më herët ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji është shprehur kritik ndaj PD-së për humbjen e thellë që pësoi në zgjedhjet që u mbajtën në 5 bashkitë, pas disfatës që pësoi gjithashtu në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një reagim të gjatë në rrjete sociale, Salianji drejton gishtin nga qeveria, por gjithashtu bën fajtore edhe partinë e tij, teksa thotë se që nga 11 maji “nuk është në rrugën e duhur”. Ai shpreh keqardhje për faktin se PD-ja zgjodhi rehatinë duke mos dalë me kandidatë të saj, por duke mbështetur kandidatë të pavarur, ndërsa shton se qytetarët i gjykojnë me të drejtë. Duke e cilësuar si një gabim vendimin për t’u fshehur pas kandidatëve të pavarur, ai thotë se pjesëmarrja e ulët në votimin e djeshëm, ishte ndër të tjera një mesazh i qartë për PD-në që duhet të ndryshojë.

“Miliona shqiptarë na gjykojnë jo vetëm për pafuqinë, por edhe për vendimet e gabuara strategjike, që e kanë lënë vendin në duart e një autokrati që luan me jetët e njerëzve si t’i teket. Shqiptarët ndjejnë përditë dhunën, represionin, arrogancën, korrupsionin masiv, prepotencën, gjobat, shembjet dhe burgosjet. Ka ardhur koha të ndryshojmë! Mundësisht sot, jo nesër! Raporti i OSCE-ODIHR doli, afera në Llogara tregoi korrupsionin gjigand, dhe mosdalja e qytetarëve në votim është një mesazh i qartë: Partia Demokratike duhet të ndryshojë, ne duhet ta lexojmë, ta themi e më pas të ndryshojmë realitetin! Çdo orë e vonuar është karburant për autokratin.”, shkruan mes të tjerash Salianji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related