Dhjetëra banorë të katër fshatrave (krahinës së Dukatit, Tragjasit, Radhimës dhe Orikumit) protestuan të hënën (dje) para dyerve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke denoncuar 33 vite shkelje, uzurpime dhe falsifikime të pronave të tyre. Ata depozituan një kallëzim penal të firmosur nga 180 banorë, ku akuzohen zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin, për një skemë të shpopullimit dhe tjetërsimit të tokave. Sipas përfaqësuesve, presioni ka arritur kulmin me urdhrat e IKMT për shembjen e njësive ekonomike që mbajnë gjallë ekonominë e zonës. Edviol Kulluri, përfaqësues i banorëve, deklaroi se “krahina jonë synohet të shfaroset totalisht, me metoda ekonomike dhe mohim prone”. Kallëzuesit kërkojnë që Prokuroria e Posaçme të kryejë një hetim të plotë mbi veprimet dhe mosveprimet e Këshillit të Ministrave dhe institucioneve të tjera shtetërore, të cilat sipas tyre kanë kontribuar në vjedhjen e tokave. Në kallëzim ngrihen pretendime për dëbim ekonomik, zhvendosje të popullsisë, privim nga mjetet e jetesës dhe shkatërrim sistematik të infrastrukturës komunitare. Në dokumentin e dorëzuar në SPAK, banorët kërkojnë ndjekjen penale të disa individëve dhe përfaqësues të disa kompanive, për të cilat kallëzuesit pretendojnë se mund të kenë përdorur dokumente të falsifikuara dhe mund të kenë kryer veprime të dyshuara të pastrimit të produkteve të veprës penale. Ata pretendojnë se pjesë e këtij grupi janë edhe ish-zyrtarë amerikanë.
Flet avokati
Ndërsa avokati i banorëve, Arben Llangozi, sqaroi se kallëzimi përfshin një grup të strukturuar kriminal dhe zyrtarë të lartë, dhe përfshin edhe një shtetas amerikan. Sipas tij, skema përfshin falsifikimin e dokumenteve, tjetërsimin e pasurive dhe dhënien e lejeve të ndërtimit mbi to. “Ne e kemi zgjeruar hetimin tonë, sepse shumë abuzojnë me pasaportën amerikane. Pra ne jemi shtetas amerikanë thonë disa, dhe kërkojmë që të marrin pasurinë e këtyre shtetasve dhe janë drejtuar institucioneve. Përderisa këta shtetas abuzojnë me pasaportën amerikane, ne i jemi drejtuar që hetimet të shtrihen dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra ky kallëzim është gjithëpërfshirës, është për të gjitha rrethanat e paraqitura që nga viti 1991 e deri më sot. Janë intensifikuar. Këto janë informacione konfidenciale, por bëhet fjalë edhe për politikanë të lartë të Shteteve të Bashkuara. Po e disponojmë edhe emrin, të cilin e kemi vënë dhe do ta vëmë në sekret hetimor, sepse s’duam që të veprojmë pa miratim të organeve ligjzbatuese. Kështu që vlerësoj ditën në vijim ne do bëjmë me dije edhe emrin. Është prezantuar si një mik i madh i shqiptarëve, një person i cili vjen edhe kërkon të përvetësojë…Përmes kompanive, për, jo nuk është zyrtar në detyrë, është hequr. Fillon nga kryeministri, i cili ka miratuar leje ndërtimi me dokumenta të falsifikuara. Kemi prova të cilat provojnë që ky shtetas ka qenë në Republikën e Shqipërisë, kemi prova që është promovuar nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, kemi prova të cilat aktualisht ky shtetas, sipas asaj që ne kemi pretenduar, jemi drejtuar Departamentit të Shtetit, FBI-së, ambasadës dhe të gjithë institucioneve për të kryer hetime ndaj tij”, deklaroi dje për mediat Llangozi.
