Skandal në Shkodër: Policia mban për 6 orë një mikrobus me turistë të huaj – Kush po e dhunon të drejtën e lëvizjes?

Data

Nga Redaksia EuroAlbania

Sot, më 1 korrik 2025, në qytetin e Shkodrës është regjistruar një ngjarje tepër shqetësuese dhe e papranueshme për një vend që synon të jetë pjesë e familjes europiane. Një mikrobus me turistë të huaj është ndaluar nga policia dhe është shoqëruar për më shumë se 6 orë në komisariatin e Shkodrës, pa asnjë shpjegim ligjor, pa ndonjë shkelje të dokumentuar dhe pa asnjë komunikim të qartë me pasagjerët.

Kjo ngjarje nuk është një incident i izoluar. Burime nga qytetarë dhe operatorë privatë lokalë denoncojnë prej kohësh se drejtues të Policisë së Shkodrës janë të përfshirë në interesa private në sektorin e transportit, konkretisht si aksionerë në linjën e autobusëve “Shkodër–Breg Lumi”. Në këtë kontekst, çdo përpjekje alternative për transport të ligjshëm, qoftë me mjete private apo me licenca ndërkombëtare, po përballet me bllokime të pajustifikuara dhe presion policor.

Në një kohë kur Shqipëria përpiqet të rrisë imazhin si destinacion mikpritës për turistët, veprime të tilla e minojnë rëndë besimin te shteti ligjor dhe dëmtojnë drejtpërdrejt ekonominë lokale dhe interesat afatgjata të vendit.

Kujtojmë se liria e lëvizjes, mbrojtja e pronës private dhe garantimi i konkurrencës së ndershme janë të garantuara nga Kushtetuta dhe nga legjislacioni europian, të cilin Shqipëria ka detyrimin ta respektojë.

I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse – Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Rrethit Shkodër, Avokatit të Popullit dhe delegacionit të BE-së në Tiranë – të nisin menjëherë hetime mbi këtë rast dhe mbi strukturat që po keqpërdorin pushtetin publik për interesa private.

Turistët nuk mund të trajtohen si peng i monopoleve. Shteti nuk mund të përdoret si zgjatim i interesave të një linje të vetme transporti. Është koha që përgjegjësit të japin llogari.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related