Në një vend ku absurditeti ka marrë statusin e normalitetit, Shqipëria arrin të thyejë rekorde – jo në inovacion, arsim apo shëndetësi – por në çmime që rriten pa arsye, në shërbime që mungojnë, dhe në emigrim që nuk njeh ndalesë.
- Çmimi i shtëpive
Në Tiranë, një garsoniere kushton sa një kështjellë gjermane me lëndinë dhe roje. Ndërsa banesat këtu i afrohen çmimeve të metropoleve europiane, pagat tona ngelen në standardin e lagjeve më të varfra. - Çmimi i ushqimeve
Fasulja – dikur ushqimi i të varfërve – tani është luks. Peshku i freskët kushton si ari, ndërsa buka është më e rëndë në faturë sesa në dorë. Ushqimi është bërë një privilegj, jo një e drejtë. - Çmimi i energjisë
Në vend që të ndriçojmë rrugën përpara, mendohemi dy herë para se të ndezim një llambë. Jo nga ekologjia, por nga frika e faturës që vjen me muaj dhe pa logjikë. - Çmimi i ujit
Në një vend të bekuar me ujëra të bollshëm, faturat janë më të larta se rubinetat. Uji rrjedh vetëm në letër, ndërsa çezmat heshtin për orë të tëra. - Çmimi i naftës
Shqipëria ka naftë, por jo për shqiptarët. Marrim “medalje” për çmimet më të larta në rajon dhe në kontinent. Nafta është kthyer në luks për qytetarin, dhe burim fitimi për pakicën. - Emigrimi
Këtu nuk ka diskutim: jemi kampionë absolutë. Brez pas brezi largohet me shpresën se diku tjetër jetohet më mirë – jo për luks, por për dinjitet.
Këto janë rekordet që s’i na i merr kush, por edhe që s’do donim t’i kishim. Nuk janë medalje për t’u mburrur, por alarme për t’u zgjuar.
