Pas vizitës dy ditore në Korçë kryesocialisti Edi Rama e vijoi dje turin e takimeve me gratë dhe vajzat e Kamzës. Ai kërkoi të punohet edhe me gratë e vajzat demokrate të kësaj bashkie në mënyrë që më 11 maj të votojnë Partinë Socialiste për ta çuar Shqipërinë në BE. Fillimisht, ai ndau episode nga huliganizmi i Partisë Demokratike gjatë kohës që qeveriste Bashkinë Kamëz, me njerëz të dhunshëm që pengonin shprehjen e vullnetit të qytetarëve në kutitë e votimit. “Është realisht e pabesueshme po të kesh parasysh se nga jemi nisur dhe të shikosh këtë lum vajzash dhe grash që nuk i duket fundi, pikërisht në këtë bashki që ishte fortesa e burrave, e zhytur në llum.
Dhe në këtë vijë, ku sot është një bulevard i mbushur me gra dhe vajza, dhe deri dje ishte një kanal ku baballarët mbanin në krah fëmijët për t’i çuar në shkollë. Elisa përmendi që Bashkia Kamëz ka sot 70% gra, por kur këtu ishte kanali, Bashkia Kamëz ishte 90% burra. Dhe nëse do të shohësh pse ka ndryshuar kaq shumë Kamza, mjafton të shikosh si ka ndryshuar bashkia e Kamzës falë një burri që e ka kuptuar qysh në krye të herës. Dhe në fakt unë e mbaj mend shumë mirë, se kur Rakipi e ka prekur forcën e grave këtu në Kamëz, ka qenë fushata e tij e parë, kur ne tentuam t’i japim Kamzës një shans. Por nuk mjaftoi. Dhe në atë kohë, në disa qendra votimi ishte e pamundur të shkoje në komision, sepse aty ligjin e bënin disa burra të dhunshëm.
Dhe Rakipi, më kujtohet kur kemi folur, më tha: është e pamundur në disa pika ku ka votim, se ka disa njerëz të dhunshëm që nuk të lënë të votosh. Në fund, në ato pika nuk pati asnjë problem, se Rakipi çoi disa gra në komision”, deklaroi ai. Po ashtu, Rama u ndal edhe tek transformimi i Bathores në këto vite, për të cilën tha se vite më parë, “të thoshte jetojë në Bathore ishte njësoj si të thoshte jetojë në kënetë”. Ndwrkohw kryesocialisti u shpreh i bindur se Partia Demokratike do të shënojë në 11 maj humbjen më të thellë që nga viti 1997. “Në 11 maj do të marrin humbjen më të madhe që nga 1997 do të dalin të shpartalluar siç e meritojnë. Por meritojnë që shpartallimi tu vijë edhe nga demokratët. Mos votoni PD, zbrisni më poshtë se 5 keni emra vajzash e grash të tjera. Krahasojini pak me kukumjaçkat e kënetës që janë çyrykë komplet”, nënvizoi Rama.
