Kur kryeministri Edi Rama tha se “Partia Socialiste është garancia e vetme për mbijetesën e SPAK”, shumë e panë si një deklaratë politike për të marrë meritat e reformës në drejtësi. Por raporti vjetor i SPAK për vitin 2024 e shemb këtë narrativë me fakte, jo me tone politike, jo me konferenca shtypi, por me statistika të pakundërshtueshme dhe analiza institucionale që godasin në vetë zemrën e asaj që qeveria ka ndërtuar si propagandë për drejtësinë. Altin Dumani nuk i përmend me emër aktorët politikë që i drejtohen SPAK-ut me sulme të hapura apo të nënkuptuara. Ai nuk shfaqet në studio televizive për të polemizuar. Por raporti i tij vjetor është më shumë se një përmbledhje pune, është një akt sfidues që i përgjigjet direkt sulmeve, presioneve dhe taktikave të sabotimit që vijnë nga vetë strukturat e pushtetit.
Goditja e parë: Miti i ‘arrestimeve politike’ bie poshtë me statistika
Kur u arrestua Erion Veliaj, krahu i djathtë politik i Edi Ramës në Tiranë, kryeministri nisi sulmet ndaj SPAK, duke folur për “masa të dyshimta sigurie”, për “standarde të dyfishta”, dhe duke ngritur dyshime se drejtësia po shpërqendrohej nga thelbi: lufta ndaj korrupsionit sistemik. Por raporti i SPAK i jep një shuplakë statistikore këtyre pretendimeve. Përmes një analize të ftohtë, Dumani vendos përballë akuzave politike një narrativë faktike: vetëm 5.1% e masave të sigurisë për korrupsion janë “arrest me burg”. Vetëm kaq. Dhe në total, nga 2,791 të paraburgosur në Shqipëri, vetëm 270 janë në hetim nga SPAK, më pak se 10%. Ky është një refuzim publik i tezës së Ramës për një drejtësi që po e humbet busullën. SPAK jo vetëm që nuk është kthyer në një mjet për shfaqje spektakolare me pranga, por në fakt është institucioni më i matur në vendosjen e masave ekstreme. Kjo është goditje ndaj përpjekjes për të stigmatizuar veprimet ndaj figurave të afërta me pushtetin.
