Vitet e fundit, vërehet një reduktim shumë i madh i sipërfaqeve të liqeneve akullnajore në vendin tonë. Bimësia dhe biota shtazore e liqeneve akullnajore janë të ndikuara direkt nga sasia, shkalla dhe dinamizmi i mbulesës së dëborës. Fenomene të ngjashme po ndodhin edhe në Alpet Evropiane, të cilat po përballen më ritme të shtuara të zhdukjes së sipërfaqes akullnajore.
Liqenet akullnajore të Shqipërisë zënë një hapësirë të konsiderueshme të ekosistemeve ujore dhe strehojnë një shkallë të lartë biodiversiteti. Këto liqene kanë rrënjë të thella historike dhe gjeologjike, duke datuar që nga periudha e Pleistocenit, rreth 2.6 milion vite më parë. Zona ku përqendrohen kryesisht është sistemi malor i Alpeve Shqiptare, ku gjenden rreth 16 liqene akullnajore.
Midis tyre, Liqeni i Draganit në Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës paraqet një rast veçanërisht shqetësues. Ky liqen jo vetëm që ka pësuar tkurrje të konsiderueshme në sipërfaqe, por gjatë muajve të nxehtë të verës kalon në një gjendje kritike, duke u tharë pothuajse plotësisht dhe duke i vënë në pikëpyetje mundësitë e mbijetesës.
Gjatë dekadave të ardhshme, pritet të ndodhin ndryshime të konsiderueshme të klimës, duke i vendosur ekosistemet ujore të Mesdheut në vend të parë për nga cenueshmëria. Duke qënë të pozicionuara në lartësi specifike mbi nivelin e detit, ekosistemet e liqeneve akullnajore po shfaqin ndryshime të shpejta si pasojë e zvogëlimit të mbulesës akullnajore dhe rritjes së shpejtë të temperaturës.
