Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dëshiron të sqarojë publikun mbi sistemin e ri të shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares, një vendim që synon të sigurojë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë.
Në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online dhe çdo person të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta. Ky sistem është vendosur për të garantuar një proces të hapur dhe të drejtë, ku çdo tifoz ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares.
Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent.
