Në fund të mandatit, Biden përgatit një goditje për Putinin, pse sanksionet e fundit do të gjunjëzojnë Kremlinin

Data

Në fund të mandatit aktual, administrata e Joseph Biden vendosi sanksione kundër sektorit rus të naftës, i cili është burimi kryesor i të ardhurave për presidentin Vladimir Putin. Më 10 janar, Shtëpia e Bardhë njoftoi sanksione të reja kundër sektorit rus të naftës. Pothuajse 200 anije të të ashtuquajturës “flota hije ruse” u futën në listën e zezë dhe masat ndëshkuese synojnë gjithashtu prodhuesit rusë të naftës Gazprom dhe Surgutneftegaz. Në fund të vitit 2022 u vendosën sanksione, qëllimi i të cilave ishte përcaktimi i një kufiri të sipërm për çmimin e naftës ruse. Ndërkohë, Moska arriti të gjente mënyra të ndryshme për t’i anashkaluar këto masa. Qëllimi i sanksioneve ishte kufizimi i çmimit të naftës, duke përdorur mekanizma të ndryshëm, në maksimum 60 dollarë amerikanë (rreth 58.2 euro) për fuçi naftë ruse.

Goditja e SHBA

Craig Kennedy , një ekspert i pavarur për Rusinë, i cili punon në Qendrën Davis për Studimet Ruse në Universitetin e Harvardit, është i bindur se paketa e sanksioneve të reja është një “goditje e dhimbshme” për Rusinë. “Kjo do të thotë se disa anije, në të cilat ata mund të mbështeteshin deri tani, do të duhet të qëndrojnë të ankoruara në portet e botës, ato nuk do të jenë më të dobishme”, tha ai për DW. Benjamin Hilgenstock i Shkollës Ekonomike të Kievit tha për DW se lajmet nga SHBA janë “një zhvillim shumë i mirëpritur”. Megjithatë, ai thekson se është e nevojshme të vazhdohet me presion. “Vendet e koalicionit ndërkombëtar duhet të vazhdojnë të sanksionojnë cisternat nga hija, derisa kjo flotë nga hija të kthehet në histori”, shton aai. Çmimi i naftës bruto arriti nivelin më të lartë që nga gushti i vitit të kaluar. Lëvizja e administratës Biden, siç supozohet, mund të motivohet edhe nga parashikimet sipas të cilave është e mundur që të ketë shumë naftë në tregjet globale gjatë vitit 2025.

“Flota hije”

Fillimisht, kur u prezantua kufiri i sipërm për çmimin e naftës ruse, qëllimi ishte të parandaloheshin ndërprerjet në treg – ideja ishte që nafta ruse do të vazhdonte të ishte e pranishme në treg për të siguruar furnizimin dhe së dyti që çmimi i saj do të të kufizohet për të reduktuar të ardhurat ruse. Por Rusia e anashkaloi kufirin e sipërm, bleu qindra cisterna më të vjetra dhe krijoi “flotën e saj hije”. Këto anije filluan të transportonin naftë në ato vende që blinin sasi më të mëdha, për shembull në Indi dhe Kinë, duke përdorur modele sigurimesh jo transparente.

Dëmet financiare

Të ardhurat nga eksporti i naftës janë jashtëzakonisht të rëndësishme për presidentin Vladimir Putin, duke pasur parasysh se ai ka rritur në mënyrë drastike shpenzimet ushtarake në mënyrë që të jetë në gjendje të mposht Ukrainën në fushën e betejës. Shpenzimet ushtarake janë më shumë se trefishuar që nga viti 2021, dhe në buxhetin e këtij viti ato arritën një rekord prej 13.5 trilion rubla (rreth 131 miliardë dollarë, ose 128 miliardë euro). Kjo është një rritje enorme në krahasim me vitin e kaluar – me 25%. “Nafta është bërë shumë e rëndësishme për Rusinë,” thotë Kennedy. Rusia është gjithnjë e më shumë nën presion. Pas humbjes së tregut evropian të gazit, eksporti i naftës u bë edhe më i rëndësishëm, d.m.th. nevoja për të përfituar maksimumin prej tij. Rusia do të vazhdojë të fitojë miliarda nga eksporti i naftës së saj, por ky vendim i fundit i SHBA-së, sipas ekspertëve, do të jetë shumë i dhimbshëm për Moskën. Benjamin Hilgenstock beson se ekonomia ruse mund të dobësohet seriozisht nga një kombinim i dy lëvizjeve: nga njëra anë, është shënjestrimi i cisternave individuale dhe nga ana tjetër, është lufta kundër manipulimeve gjatë shkarkimit të naftës nga cisternat. Domethënë, është një situatë në të cilën kompanitë e transportit detar, në mënyrë të rreme, pretendojnë se çmimi i naftës në një cisternë dhe që duhet të shkarkohet është në përputhje me kufirin e sipërm të deklaruar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related