Pas dështimit në tentativën e parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rihapur tenderin 393 milionë euro për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano. Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, data e zhvillimit të tenderit është parashikuar në 7 shkurt të vitit të ardhshëm.
Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare dhe ARRSH tentojnë të tenderojnë ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Herën e parë, gara për ndërtimin e portit u shpall në fund të muajit korrik përmes një eventi të madh të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendesja e tij Belinda Balluku. Shefi i qeverisë lajmëroi se për ndërtimin e kësaj vepre kanë shprehur interes 15 kompani, pjesa dërrmuese e të cilave nga më të mëdhatë në botë.
“Më vjen shumë mirë që ndër kompanitë e interesuara, ne kemi 5, edhe 5 kompanitë e listuara, si 5 më të mëdha në botë që tregon se çfarë interesi ka ky port, por historia e zhvillimit të porteve që ne e kemi mësuar për shkak të detyrës ka treguar që nëse këto kompani “gjejnë shesh”, “bëjnë një përshesh” aq të madh sa atë shumën në fillim të tenderit ta çojnë dyfish, trefish, katërfish pa asnjë problem nëse ti nuk ke peshkatarë peshkaqenësh në tokë. por mos harroni që nuk keni vetëm ne mbi kokë, por keni edhe peshkatarët holandeze. Harrojeni peshkaqenin, atë shkoni bëjeni në ndonjë vend tjetër jashtë Europës ku ka plot porte që ndërtohen”, tha Rama.
Tenderi ishte parashikuar të zhvillohej në datën 16 shtator, ku këto kompani duhet të paraqisnin ofertat financiare. Por tenderi dështoi dhe ARRSH shpalli anullimin e tij.
